75 Mall Live Search
09:03 / E Mërkurë, 27 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Edhe “Tigrat e zi” ndihmojnë të prekurit nga tërmeti, në Shqipëri

Të gjitha komunat e Kosovës në afat rekord kanë arritur të mblidhnin ndihma për të prekurit nga tërmeti që goditi dje Shqipërinë.

Qytetarët anembanë Kosovës janë solidarizuar duke ofruar jo vetëm ushqim dhe veshmbathje, por edhe kanë ofruar strehim nëpër shtëpitë e tyre, për familjet pa kulm, nga Shqipëria.

Edhe Komuna e Drenasit është treguar e përkushtuar që t’u dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti.

 Tifozët e Ferronikelit “Tigrat e zi”, mbrëmë kanë arritur të grumbullonin një sasi të madhe të produkteve ushqimore dhe veshmbathje për t’i dërguar në Shqipëri, përkatësisht në Durrës dhe Thumanë. Siç shihet në këto pamje, banorët e Drenasit, kanë dhuruar ushqim e veshmbathje, duke u solidarizuar me të prekurit e tërmetit.

Jo vetëm banorët, por edhe kafenetë i kanë ofruar ndihmë grupit “Tigrat e zi”, të cilët në orën 19:00, mbrëmë i kanë nisur për në Shqipëri. Ky aksion po vazhdon edhe sot, ku “Tigrat e zi”, kanë bërë thirrje që kushdo që ka mundësi, të ofrojë ushqim apo veshmbathje, në mënyrë që t’i dalin në ndihmë Shqipërisë se prekur nga kjo tragjedi.

Ndryshe, sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, një ditë pasi tërmeti u mori jetën 24 personave dhe qindra të tjerë mbetën të lënduar.

Edhe në Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi, ditën e sotme e ka shpallur ditë zie.