Edhe trajnerë, edhe analistë, kjo gjë po ndodhë vetëm në Kosovë!
Në shtetet evropiane nuk është praktikë që trajnerët e futbollit të jenë analistë me kontratë nëpër televizione. Mund të përmendim disa raste si Paul Scholes që për vite me radhë ka qenë analist me kontratë në televizionin anglez BT, por kur nënshkroi kontratë me Oldhamin, ndaloi paraqitjet si analist.
Jose Mourinho tani ka nënshkruar kontratë me televizionin arab BEIN, por në klauzolën e tij shkruhet që ai do të shkëpus kontratën kur bëhet trajner i ndonjë skuadre. Në Kosovë nuk ndodhë kjo.
Trajneri Afrim Tovërlani, në një intervistë për Indeksonline mendon që kjo nuk është në rregull.
“Mund të jesh mysafir ndonjëherë por jo të kesh kontratë. Ka plot njerëz tek ne që mezi presin të dalin në televizion, qenë apo s’qenë analistë. Unë kam pasur kontratë me Klan Kosovën, T7, RTK për të analizuar evenimente të ndryshme të futbollit, por asnjëherë se kam bërë këtë duke pasur kontratë me ndonjë skuadër. Një njeri që punon 3-4 punë, asnjërën nuk e bën siç duhet” deklaroi Tovërlani.
Trajneri i Ferizajit Bylbyl Sokoli dhe ai i Vëllaznimit Ismet Munishi, kanë kontratë me televizionin Dukagjini dhe çdo të hënë analizojnë edhe skuadrën e tyre edhe kundërshtarët.
Kjo i bie të jetë konflikt interesi sepse trajneri nuk mund të bëjë analizë kritike për publikun ndaj futbollistëve dhe ekipit që ai drejton.