75 Mall Live Search
22:51 / E Diele, 06 Mars 2022 / AR

Edhe Yahoo Finance raporton për donacionin e Devollit për ushtrinë

“Devolli Corporation” i është përgjigjur menjëherë ftesës së Qeverisë së Kosovës për të kontribuar në “Fondin e Sigurisë”.

Ky kontribut është hiç më pak se gjysmë milioni euro.

Aksionari Shkëlqim Devolli, ka thënë se e vlerëson lart angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të siguruar mjete shtesë për të rritur sigurinë shtetërore.

“Është një hap i duhur dhe ne duam ta shprehim mbështetjen tonë që në ditën e parë, duke vlerësuar se secilit prej nesh i takon të kontribuojë në sigurinë e atdheut tonë, kur atdheu na thërret. Kompanitë e ‘Devolli Corporation’ do të jenë në shërbim të institucioneve të shtetit edhe për ndihma të tjera, si financiare ashtu edhe me mallra”, ka thënë Devolli.

Lidhur me këtë donacion ka raportuar sot edhe Yahoo Finance.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka ftuar qytetarët dhe donatorët e tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore, duke themeluar “Fondin e Sigurisë” në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas të parit të qeverisë, mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.