75 Mall Live Search
17:57 / E Premte, 11 Janar 2019 / indeksADMonline

Edi bëhet “copa” me analistët nga Shqipëria, i del në mbrojtje Gent Cakajt

Teksa e konsideron një “gurë të hedhur në lumë” nga Ilir Meta vendimin për Gent Cakajn, kryeministri Edi Rama iu përgjigjet edhe analistëve Andi Bushati dhe Fatos Lubonja, që sipas tij, por rreken të tërheqin njerëzit “pas gurit të hedhur”.

“Janë shpërndarë kadrinjtë krra-krra-krra,nga Andi Kadriu tek Kadri Lubonja e me radhë kadri andej e kadri këtej, futur shtëpi më shtëpi nga vrima e televizorit, duke u rrekur t’i tërheqin njerëzit pas gurit që hodhi në lumë IM. Certifikata e Sigurisë. Shihemi tek Çani po hë”, shkruan Rama në Twitter.

Vlen të theksohet se gjatë ditës së sotme Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka reaguar pas kërkesës së Presidentit Meta për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për të verifikuar punën e këtij institucioni në lidhje me dhënien brenda ditës së certifikatës së sigurisë në dorë të Genti Cakajt, propozimit të Ramës për Ministër të Jashtëm i cili u refuzua ditën e djeshme nga Kreu i Shtetit.

Përmes një njoftimi zyrtar, DSIK shkruan se pajisja me çertifikatë sigurie për Genti Cakajn është kryer në përputhje me ligjin dhe duke mos shkelur asnjë afat kohor që e përcakton vetë ligji.

Drejtoria është shprehur se ka patur kontakte me institucionet e tjera të sigurisë, përfshi dhe ato të Kosovës në lidhje me figurën e Gent Cakajt. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Cakaj nuk përbënte rrezik dhe se figura e tij ishte e pastër.