Edi Rama i reagon ashpër Vetëvendosjes: Po i ngatërroni raportet ndërshtetërore me çorbën e balotazheve komunale

Edi Rama i ka reaguar ashpër Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit.
Partia e Albin Kurtit e akuzoi Ramën se kishte ardhur në Kosovë për të shtyer votimin e Gjykatës Speciale.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja… dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim. Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen… dhe më vjen keq që Lëvizja… i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes… se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng presidentin e Republikës së Kosovës. Dhe e fundit, unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, ka thënë Rama në reagim./Indeksonline/