14:34 / E Diele, 15 Mars 2020 / indeksADMonline

Edi Rama: Nga e marta e gjithë Shqipëria në karantinë!

Mbi 1000 mjekë dhe infermierë i janë përgjigjur apelit të Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri, për t’iu bashkuar stafit mjekësor në luftë kundër koronavirusit.

Lajmin e bëri me dije kryeministri Edi Rama në një komunikim në facebook nga shtëpia ku ndodhet i vetëkarantinuar si shumica e qytetarëve.

Rama: Lajmi i bukur sot është se thirrje sonë për të shërbyer vullneratisht në vijën e parë të luftës me armikun i janë përgjigjur deri tani 497 mjekë dhe 617 infermierë. Gatishmëri njerëzore dhe profesionale që në këtë kohë të errët për vendin të rrënqeth mishin për humanizmin dhe patriotizmin e mbi 1000 bluzave të bardha gra dhe burra që pa asnjë detyrim janë gati të sakrifikojnë për të kuruar plagë dhe shpëtuar jetë. Mirënjohje të gjithëve. Për gjithë mjekët dhe infermierët që janë aktualisht në atë vijë zjarri paga e marsit do të ketë me një bonus prej 1000 euro, që do të vazhdojë mbi rrogën dhe në muaj në vijim deri në përfundim të kësaj lufte. Bonusi do tu jepet dhe gjithë vullnetarëve që thirren në front.

Kryeministri Edi Rama kërkoi nga qytetarët të ruajnë qetësinë pasi ditët që vinë do të jenë dhe më të vështira sa i takon trendit rritës të përhapjes së virusit.

Rama: Java që vjen dhe tjetra pas saj do të vinë me numra të rritur. Dikush i quante dy javët e ngritjes së furtunës. Duhet të jemi të përgatitur të presim pa panik rezultatet e testeve dhe rastet e vështira që do të shtohen. Nuk jam pesimist asnjëherë dhe as këtë herë por nuk më lejohet të mos u them të vërtetën, aq më tepër kur e vërteta lidhet me ju dhe familjet tuaja, popullin tonë. Duhet ta pranojmë të vërtetën siç është dhe të jetojmë me të. Duhet të bëjmë të gjithë ato që jemi të detyruar të bëjmë.

Kreu i qeverisë njoftoi se nga e marta, i gjithë territori i Shqipërisë do të jetë në karantinë.

Rama: Sot hyn në fuqi akti normativ që përcakltopn masa speciale për gjithë periudhën e luftës me armikun duke përcaktuar detyrime ligjore që do të ndihmojnë popullin dhe secilin prej nesh. Çdo ditë duhet ta përjetojmë si fillim të ri. Luftë me veten dhe zakonet e forta të pritshmërisë sonë. Qeveria po përgatit çdo skenar. Të martën perimetri i blinduar do të njësohet me kufirin e Republikës së Shqipërisë. E gjithë Shqipëria javën tjetër do të jetë si Tirana dhe Durrësi këtë javë që kaluam e pastaj qytetet e tjera. Do t’ja dalim dhe do ta mbajmë mend tërë jetën këtë film horror që na plagosi keq por na bëri më të fortë dhe më të mirë të gjithë ne dhe Shqipërinë tonë pa asnjë diskutim.

Ndërkohë të hënën administrata do të jetë pushim.

Rama: Burgosja vazhdon. Do të vazhdojë më tej për të gjitha ata që nuk janë pjesë e shërbimeve. Të tjerët do të jenë në punë siç do të jenë në punë të gjitha kompanitë që garantojnë hallkat jetike të zinxhirit ekonomik të vendit.