75 Mall Live Search
19:35 / E Mërkurë, 02 Shtator 2020 / indeksADMonline

Edita Tahiri për takimin në Washington: Kosova duhet të angazhohet për njohje pa prekje të kufijve

Ish-zëvendëskryeministrja dhe kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet teknike për dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka thënë se Kosova duhet të angazhohet fuqishëm që në takimin e Washingtonit, që pritet të mbahet më 4 shtator, të bëhet njohja reciproke pa prekur kufijtë.

Tahiri në një intervistë për IndeksOnline ka thënë se ky takim është i një rëndësie strategjike sepse tregon angazhimin e shtuar të Amerikës për Kosovën dhe për paqen në Ballkan.

“Vlerësoj se takimi në Washington këtë javë ka një rëndësi strategjike sepse tregon angazhimin e shtuar amerikan për Kosovën dhe për paqen, fqinjësinë dhe stabilitetin në mbarë rajonin e Ballkanit, ku për fat të keq ende kemi çështje të hapura siç është normalizimi i marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë pas 20 vjetësh të përfundimit të luftërave dhe lindjes së shteteve të reja”, tha Tahiri për IndeksOnline.

Siç ka thënë Tahiri, e cila për disa vite kishte negociuar me palën serbe, takim i së premtes është një hap përpara drejt njohjes mes dy shteteve.

Ish-kryenegociatorja tha se Kosova duhet të angazhohet fuqishëm për të arritur njohjen reciproke, por pa prekur kufijtë.

“Takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Washington do të jetë një hap përpara drejt njohjes reciproke mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë në kufijtë aktual, si një zhvillim pozitiv që kontribuon në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Kosova duhet të angazhohet fuqishëm për të arritur njohjen reciproke pa prekur kufijtë, çështjen e reparacioneve të luftës, të drejtën e sukcesionit pra marrjen e hises që i takon nga zhbërja e ish-Jugosllavisë ku Kosova ishte njësi federale”, theksoi Tahiri.

Ndonëse ky takim është thënë se do ta ketë më shumë karakterin ekonomik se sa të një njohje politike në mes të dyja vendeve, Tahiri ka porositur palën kosovare që të mos iu shmangen temave tjera.

E për këtë ajo ka dhënë një arsye.

“Pavarësisht se është paralajmëruar si takim me agjendë ekonomike, mendoj se nuk mund tju shmanget temave tjera, sepse edhe një marrëveshje e mundshme ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë duhet patjetër të realizohet brenda një kornize të qartë politike si një marrëveshje mes dy shtetesh të pavarura dhe sovrane. Çdo variant tjetër do ta dëmtonte Kosovën dhe shtetësinë e sajë”, tha tutje Tahiri.

Tashmë Kosova në këto diskutime do të hyjë pa idenë e rrezikshme për ndryshim kufijsh, gjë e cila edhe është vërtetuar zyrtarisht nga SHBA, BE-ja, Gjermania, Franca e Britania e Madhe.

Tahiri ka thënë se tash beson që edhe shteti serb ka harruar iluzionet e saja për “Serbinë e Madhe”.

Për të, sa herë që është angazhuar ShBA-ja për çështjen e Kosovës, gjërat kanë shkuar mirë.

“Në fakt unë e shoh angazhimin amerikan në dialog si tepër të rëndësishëm në këtë kohë kur kanë rifilluar takimet në Bruksel, sepse besoj se bashkëpunimi euro-atlantik është i domosdoshëm për arritjen e marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm një bashkëpunim transatlantik mund ta bëjë Serbinë që ta pranoj realitetin e ri të krijuar në Ballkan, ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës të vërtetuar ligjërisht nga Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi. Përndryshe, Serbia do të vazhdoj të jetë faktor destruktiv me lojëra të rrezikshme në planin gjeopolitik në shërbimin e Rusisë”, tha Tahiri.

Qëndrimet që Kosova duhet të vazhdojë ti mbajë në këtë dialog me Serbinë, sipas Tahirit janë vijat e kuqe.

“ Vijat e kuqe dihen janë mbrojtja e shtetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe sovranitetit dhe çdo marrëveshje duhet të jetë brenda kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto vija të kuqe janë caktuar që nga viti 2011, kur ka filluar ky dialog në Bruksel”, përfundoi Tahiri për IndeksOnline.