75 Mall Live Search
22:05 / E Hënë, 08 Prill 2019 / indeksADMonline

Edy Reja trajner i Shqipërisë?

Shumë kandidatë janë përfolur për të marrë drejtimin e kombëtares së Shqipërisë.

Federata Shqiptare e Futbollit ka përzgjedhur Edoardo Rejan si trajnerin e radhës italian në krye të kombëtares.

Kështu të paktën raportojnë mediet nga Italia. Sipas “Radio Kiss Kiss”, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka rënë dakord me trajnerin 73-vjeçar në takim që ka zhvilluar në Bologna në fundjavë e tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes.

Po sipas informacioneve që vijnë nga Italia, ndihmës i Edy Rejas do të jetë Alessandro Calori, që ka përfunduar aventurën te Ternana.

Kandidatë të tjerë për postin e lënë bosh nga Christian Panucci thuhet se kanë qenë Besnik Hasi, Alberto Zaccheroni, Roberto Donadoni dhe Luigi De Canio.

Tashmë fjala i takon presidentit Duka, që duhet ta zyrtarizojë sa më parë trajnerin e ri. Shqipëria do të luajë ndeshjet e radhës në muajin qershor, përballë Moldavisë dhe Islandës.