75 Mall Live Search
10:16 / E Martë, 10 Mars 2020 / indeksADMonline

Efektet e coronavirusit, tregjet globale në krizë

Përpos jetëve të humbura dhe panikut të njerëzve nga coronavirusi, ekonomia botërore po kalon gjithashtu trauma. Tregjet botërore janë gjithnjë e më shumë në rënie. Rreth 3821 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e virusit, pjesa më e madhe e të cilëve në Kinë.

Në Amerikë, tregjet kanë shënuar rënie të ndjeshme ditën e diel. “Wall Street” po përballet me humbje të mëdha javët e fundit, për shkak të koronavirusit. Gjatë javës së fundit të shkurtit, stoqet amerikane shënuan javën më të dobët që nga kriza financiare e fundit dhe vazhdimi i përhapjes së koronavirusit nuk ndihmon në përmirësimin e gjendjes dhe krizës ekonomike të shkaktuar shkruan “The Guardian”

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ra rreth 30%, në 31.14 dollarë të hënën, rënia më e madhe e tij që nga viti 1991.

Tregu aksionar australian ra me 7.33% pasi kompanitë e energjisë pësuan humbje të dyfishta .

Aksionet Nikkei në Japoni ranë me 5% ndërsa aksionet në Hong-Kong me 3.5%.

Agjencia e vlerësimeve Moody tha të hënën se rreziku i një recesioni global po rritet pasi përhapja e coronavirusit po shkakton tronditje të kërkesës në të gjithë ekonominë botërore.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore thanë se ata po lënë mënjanë miliarda paundë për të mbështetur sistemet shëndetësore dhe të infektuarit.

Sidoqoftë, ditë pas dite shihet se gjendja në Kinë po përmirësohet dhe njerëzit po përpiqen t’i kthehen normalitetit. Ndërkohë, 100 vende të tjera kanë konfirmuar rastet e para dhe qindra vdekje kanë ndodhur në Itali, Iran apo Korenë e Jugut. Pjesa veriore e Italisë është ajo më e prekura nga virusi, duke shkaktuar kështu izolimin total të vendit.

Deri tani në Itali janë konfirmuar më shumë se 7.300 raste të prekur nga coronavirusi dhe 366 të tjerë kanë humbur jetën.

Në Francë, numri i rasteve është rritur në 1100 dhe deri tani ka 19 viktima. Frika se përhapja e epidemisë po rritet në Evropë, është e madhe. Gjermania dhe Spanja, gjithashtu kanë konfirmuar disa qindra raste, e ndërsa Shqipëria është vendi i fundit që i shtohet listës.