Efekti “AI”, plas keq mes Çiljeta Xhilagës dhe Gjergj Lekës
Me sa duket, në vitin 2026 mjafton një foto e krijuar me inteligjencë artificiale që rrjeti të shpërthejë. Këtë herë, “viktima” ishte Çiljeta Xhilaga, ndërsa në mes të debatit u gjend edhe Gjergj Leka.
Gjithçka nisi nga një imazh i montuar që qarkulloi në rrjetet sociale, ku pretendohej se presidenti i republikës i kishte dhënë Çiljetës titullin “Mjeshtre e madhe e punës”. “Lajmi” ishte qartazi i rremë, por jo të gjithë e kuptuan menjëherë.

Mes atyre që reaguan ishte edhe Gjergj Leka, i cili e cilësoi postimin si “sarkazma e vitit”, duke shtuar se, nëse lajmi do të ishte i vërtetë, “do të ishte dita më e turpshme e presidentit shqiptar”.

Nuk kaloi shumë dhe Çiljeta vendosi t’i përgjigjej publikisht. Këngëtarja sqaroi se nuk kishte marrë asnjë dekoratë dhe i kujtoi Lekës se bëhej fjalë për një lajm të rremë. Në reagimin e saj, ajo u shpreh e zhgënjyer nga mënyra se si ai kishte zgjedhur të komentonte.
“Qetësohu Gjergj… është thjesht një lajm i rremë. S’kam marrë asnjë dekoratë, por është e turpshme se si një artist si ty mund të shprehet në këtë formë me kaq mllef. Për çfarë kam kontribuar unë prej vitit 2000 e deri sot ka pak rëndësi për mua se sa vlerësohet. Kam plotësuar ëndrrat e mia duke kënduar, prezantuar dhe aktruar… Shëndet paç dhe uroj të të vijë pak turp nga vetja brenda ndërgjegjes tënde egoiste të errët që një shpirti artistik nuk i rri.”

Por replika nuk mbaroi aty. Gjergj Leka iu përgjigj sërish, duke thënë se e vlerëson Çiljetën si person, por jo për kontributin e saj në artin shqiptar.
“Të vlerësoj për vajzën që je, por jo për çfarë ke dhënë për artin shqiptar. Janë dy anë të ndryshme të medaljes. Më bëhet zemra mal kur shoh që kohët e fundit jeta jote dhe shijet e tua muzikore kanë ndryshuar. Të uroj jetë e muzikë me vlera. Për sa i përket turpit që duhet të kem unë, e thënë nga ti më bën të qesh”.


