12:50 / E Martë, 05 Janar 2021 / OSH

Egjipti me strategji të re për normalizimin e industrisë së turizmit

Sektori i turizmit në Egjipt po rimëkëmbet gradualisht për 2021, teksa të ardhurat në sektor ranë me gati 70% për shkak të pandemisë së koronavirusit vitin e kaluar.

Industria në vend mori një goditje të madhe, kur disa nga atraksionet më të mëdha turistike në botë u mbyllën tërësisht. Turistët që vizitojnë Egjiptin u reduktuan në 3.5 milionë vitin e kaluar nga 13.1 milionë që ishin në 2019, duke lënë hotelet vetëm 10-15% të mbushura në krahasim me një vit më parë.

Në një përpjekje për të ringjallur numrin e vizitorëve, zyrtarët kanë prezantuar zbulime të reja arkeologjike. Hapja e Muzeut të Madh Egjiptian pranë piramidave gjithashtu është shtyrë deri në fund të këtij viti, si një mënyrë për të joshur turistët të kthehen.

“Gjithçka rimëkëmbet. Sektori i turizmit natyrisht do të ritet. Më 2021, me vaksinën, rikuperimi do të vazhdojë. Do të jetë i ngadaltë, jo në mënyrën e shpejtë që pritet, derisa virusi të kontrollohet plotësisht”, tha Mohamed Farouqu, shefi ekzekutiv i agjencisë së udhëtimeve “Egypt Express”.

Turizmi përbën deri në 15% të prodhimit kombëtar të Egjiptit dhe është një burim kryesor i valutës së huaj. Vendi planifikon të fillojë vaksinimet kundër COVIDIT-19 këtë muaj pasi miratoi një vaksinë nga Kina, por është e paqartë se sa shpejt mund të zbatohet plani./Ora news/