22:17 / E Shtunë, 24 Shtator 2022 / MSH

Ejup Reka i përmend me emra kriminelët serbë që dyshohet se kryen Masakrën e Bërnicës

Masakra në Bërnicë, kishte njerëz të cilët jetonin vetëm e vetëm të dëshmonin për gjithçka çfarë kanë parë e përejtuar, për të gjitha mizoritë që serbët kishin ushtruar mbi familjarët e tyre, shkruan GazetaDemos.

I tillë është edhe Ejupi Reka. Ai edhe pse në një gjendje tejet të rëndë shëndetësore pas torturave mizore nga serbët, kishte gjetur fuqinë dhe dëshirën të jetonte dhe të kërkonte drejtësi. Të kërkonte drejtësi për gruan që ia kishin vrarë në sy të fëmijëve, dhe për të gjithë pjestarët tjerë të familjes që iu vranë mizorisht.

Nga dalja e tij në Stankovec dhe në Shkup, ai dha deklarata për Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, pastaj pas luftes ka bërë Kallëzim Penal në Prokurorinë Publike të çarkut në Prishtinë, kundër disa pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në masakër, pastaj në depratamentin e drejtësisë së UNMIK-ut, aty ku i adresoi edhe emrat e kriminelëve, por çfarë ndodhi me gjithë këto dëshmi, Ejupi shpalosi disa detaje ekskluzive n’Demos.

Përpjekjet për drejtësi pas kthimit nga Danimarka

“Në atë gjendje që ishim, me gjitha ato plagë në trup, me të gjitha ato telashe…kur kam ardhë nuk kam lanë guri pa rrotullu për ta denoncuar rastin, në çdo institucion, qoftë vendorë e qoftë ndërkombëtarë. Siç keni pasë rastin me e pa, përgjigjet ishin tejet tejet bajate, të papranueshme. Thuhej se njerzit e apostrofuar janë të paarritshëm, gjinden në Serbinë demokratike”, tha ai.

Ejupi poashtu tregoi se çfarë i dhanë ai dhe vëllai i tij, Hashimi gjykatësve në Shkup ende pa shkuar në Danimarkë.

“I dhamë gjykatësve të instaluar dëshmi për dy ditë rreshtë, për çdo detaj, për çdo ndarje të familjes sonë. Kur erdhëm këtu, këta të UNMIK-ut na ftuan me dhanë dëshmi, dhe gjykatësi i parë hetues ishte një danez, ne ishim në shtetin danez atje…por, siç duket dul një dredhi aty, edhe pse i kishte marrë të gjitha dëshmitë e mija, tha a ka mundësi me i marrë edhe dëshmitë që i keni dhanë Gjykatës së Hagës. Ai kërkoi me i tërhjek dëshmitë nga Gjykata e Hagës”, tregoi ai.

Jo vetëm me ndërkombëtarët, Ejupit as institucionet vendore nuk ndihmuanë. Madje, ai tregoi të gjithë neglizhencën që iu bë vite me radhë, teksa shpirti vazhdonte t’i dhimbte nga padrejtësia. Ejupi n’Demos gjithashtu tha se as nga mediat nuk ka marrë përkrahje që t’iu jepte hapsira të jehonte kjo masakër.

Sidoqoftë, Ejupi përkundër të gjitha këtyre pengesave, as sot nuk është dorëzuar.

Para syve që i përshkruanin dhimbjen e thellë, i mbijetuari i Masakrës së Bërnicës ekskluzivisht n’Demos i lexoi emrat e atyre që dyshohet se ishin të përfshirë drejtpërdrejtë në vrasjen e familjarëve të tij.

Mizorët sipas Ejupit janë:

1. Mladenovič Ljubisa

2. Slavkovič Trajan

3. Mitič Zika

4. Cvieč Nevbojsa

5. Bojkovič Ljupče

6. Bojkoviczika

7. Stolič Vlasdimir

8. Stolič Svetislav

9. Stolič Ljubisa

10. Stolič Ivica

11. Stolič Hranislav

12. Stolič Branko

13. Dordevič Zlatko

14. Dordevič Jovica

15. Dordevič Neško

16. Dordevič Stojan

17. Mitič Sladan

18. Cveič Jade

19. Cveič Jordan

20. Cvič Spira

21. Ilič Nebojša

22. Zoran Vukadinovič

23. Zlatan Vukadinovič

GazetaDemos do t’ua sjellë edhe emrat e kriminelëve të cilët pas luftës i mbijetuari i Masarkës së Bërnicës, Ejup Reka i kishte parë teksa ishin ‘rehatuar’ në institucionet e Kosovës. /DEMOS/