75 Mall Live Search
20:21 / E Premte, 01 Maj 2020 / indeksADMonline

Ejupi: Federatën e mbajnë klubet jo një njeri, fushat sintetike janë kancerogjene për fëmijë

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, njëherit njëri prej donatorëve më të mëdhenj në futbollin e Kosovës, është rrëfyer në lidhje me situatën e fundit në futbollin tonë.

Së fundmi, Federata e Futbollit të Kosovës ka qenë cak i kritikave të shumta nga disa klube elitare për shkak të neglizhencës për mbështetje në këtë periudhë pandemie, raporton Zëri.info.

Në vend të kësaj, FFK-ja ka zgjedhur të investojë në fusha me bari sintetik, të cilat sipas Ejupit, janë duke u larguar në Gjermani.

Tutje, ai ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës së Apelit ndaj Agim Ademit, për të cilin thotë se duhet të largohet nga posti i kryetarit të FFK-së.

Image

“E kam përcjell shqetësimin e klubeve për këtë temë. FC Prishtina është e shqetësuar sidomos me vendimin e Gjykatës për dënimin e Agim Ademit”, tha fillimisht Ejupi në RTK.

“Ai duhet t’i hapë rrugë instuticioneve, kemi pasur raste të tilla edhe në UEFA dhe FIFA”, tregon më tej presidenti i FC Prishtinës, duke shpalosur pakënaqësitë për neglizhencën e FFK-së ndaj klubeve kosovare:

“Ne nuk kemi marrë as mjetet e solidaritetit. Nuk i kuptoj tolerimet e Komitetit Ekzekutiv. Thuhet se ka keqpërdorime, ku kanë shkuar ato mjete?”.

Tutje, duke folur për fushat sintetike, ku FFK po investon tani, Ejupi thotë se ‘janë kancerogjene për fëmijë’.

Image

“Sa i përket investimit në fusha sintetike, duhet ndalur këto punë, madje këto po hiqen në Gjermani. Janë kancerogjene për fëmijë. Futbolli nuk varet nga një njeri. Nuk është pasqyrë e mirë për futbollin e Kosovës”, vlerëson Ejupi, njëherit pronar i kompanisë ajrore “Eurokoha”.

“Federatën e mbajnë klubet, dhe jo një njeri. Andaj, duhet të jenë sa më afër klubeve sa më shumë mundësi që kenë”, shtoi ai.