Ekipet e huaja të kërkim-shpëtimit gërmojnë në Durrës e Thumanë
Sapo kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit dy avionë Hercules të ushtrisë rumune, me 52 specialistë për situata katastrofash natyrore. Po kështu në Rinas kanë mbërritur dy avion me ndihma nga Turqia dhe Zvicra.
Specialistët e ardhur nga Rumania janë të pajisur me pajisje kërkimi nën rrënoja ndërtesash që do të bëjnë të mundur nxjerrjen e personave të tjerë që mund te jenë gjallë në Durrës e në Thumanë.
Ende pa kaluar 18 orë, në Shqipëri kanë arritur mbi 190 personel i huaj, 27 qen dhe 16 paleta me ndihma.
Përpos Kosovës që ofroi ndihmë financiare si dhe dërgoi trupat e FSK-së dhe të Policisë së Kosovës, Shqipërisë në ndihmë i dolën dhe shumë vende mike.
Të pranishëm për të realizuar operacionin e kërkim-shpëtimit janë edhe shërbyes të emergjencave nga Greqia, Franca, Italia e disa vende të tjera, raporton Indeksonline.

Fotoreporteri i Indeksonline ka realizuar edhe disa fotografi në të cilat shihen xhandarmëria franceze gjithnjë në afërsi të shqiptareve për t’u dalë në ndihmë deri në gjetjen e personave që vazhdojnë të jenë nën rrënojat e ndërtesave të shumta që u shemben si pasojë e tërmeteve të njëpasnjëshme./Indeksonline/




