Ekipi i FSK-së kthehet nga misioni në Kuvajt

Është kthyer në vendlindje ekipi i parë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili ka qendruar me mision paqeruajtës në Kuvajt.
Ekipi u prit në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” nga zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, së bashku me shefin e Departamentit të Operacioneve dhe trajnimeve, kolonel Ejup.
Ekipi kosovar u kthye së bashku me dy pjesëtarë të Gardës Ndërkombëtare të IOWA-s.
Në fjalën e tij drejtuar pjesëtarëve gjeneral Cikaqi i përgëzoi pjesëtarët e FSK-së për gatishmërinë dhe u shpreh mjaft krenar për shërbimin që kanë bërë gjatë kësaj periudhe.
“Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj, e kuptoj qe ka qenë mjaft sfiduese për ju, por ju duhet të ndiheni krenar siç ndihemi edhe ne për ju, pasi ju u bëtë pjesë e historisë së vendit tonë dhe tani për misionet e radhës do jenë shumë më të lehta pasi do mësojmë nga eksperienca dhe vështirësitë në të cilat ju keni kaluar”, tha general Cikaqi.
Sipas FSK-së, përveç kolegëve të FSK-së, në aeroport kishin dalë edhe familjarë të shumtë të pjesëtarëve të cilët sa ishin krenar po aq ishin edhe të emocionuar për takimin e tyre pas disa muajsh.
Misioni paqëruajtës në Kuvajt nisi më 9 mars të këtij viti.