Ekipi negociator i SHBA-së viziton aeroplanmbajtësen pranë ujërave të Iranit
Uashingtoni dukej se po shtonte presionin ndaj Teheranit, ndërsa negociatorët kryesorë vizituan aeroplanmbajtësen amerikane që kryeson një forcë të fuqishme pranë ujërave të Iranit, edhe pse bisedimet bërthamore indirekte mes kundërshtarëve po vazhdonin.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner — dhëndri i presidentit Donald Trump — vizituan USS Abraham Lincoln në Detin Arabik më 7 shkurt, së bashku me admiralin Brad Cooper, shef i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane.
“Sot u takuam me marinarët trima në bordin e USS Abraham Lincoln, grupin e saj goditës dhe Krahun Ajror të Aeroplanmbajtëses 9, të cilët na mbajnë të sigurt dhe po zbatojnë mesazhin e presidentit Trump për paqe përmes forcës”, tha Witkoff në rrjetet sociale.
Aeroplanmbajtësja, me bazë në San Diego të Kalifornisë, u nis në nëntor për dislokim në rajonin Indiano-Paqësor, përpara se të mbërrinte në Lindjen e Mesme në janar, tha ushtria.
Bisedime “shumë të mira” në Oman
Vizita në aeroplanmbajtëse vjen pasi delegacione nga Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedime të ndërmjetësuara nga Omani më 6 shkurt, diskutime që Trump i cilësoi si “shumë të mira”.
Ndërsa asnjëra palë nuk njoftoi rezultate konkrete, të dyja sugjeruan se negociatat për programin bërthamor të Iranit mund të vazhdojnë në afat të afërt.
“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo”, u tha Trump gazetarëve.
Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në International Crisis Group, i tha Radios Farda të REL-it se “fakti që bisedimet nuk dështuan dhe se të dyja palët nuk u larguan nga tryeza e negociatave tregon se ndoshta ato gjetën mjaftueshëm pika të përbashkëta ose se të dyja palët vunë në tryezë disa lëshime që ishin mjaft tërheqëse për të vazhduar bisedimet”.
Megjithatë, bisedimet u zhvilluan mes një grumbullimi ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme. Tensionet janë rritur nga javë të tëra trazirash në Iran, gjatë të cilave autoritetet nisën një goditje të ashpër që, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, vrau mijëra civilë.
Trump paralajmëron autoritetet iraniane
Ndërsa raportet për masakrën nisën të dalin nga Irani, Trump kërcënoi se do ta godiste Iranin nëse ndonjë nga dhjetëra mijëra protestuesit e arrestuar do të ekzekutohej.
Presidenti amerikan ka vazhduar të mbajë opsionet ushtarake mbi tryezë, ndërsa njëkohësisht ka theksuar përpjekjet për të frenuar programin bërthamor të Iranit, për të cilin fuqitë perëndimore druhen se synon prodhimin e një bombe, pavarësisht këmbënguljes së Teheranit se është për qëllime civile.
Pas bisedimeve në Oman, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi sanksione të reja ndaj eksporteve të naftës së Iranit, duke shënjestruar 15 subjekte dhe 14 anije të ashtuquajtura të flotës hije.
Pas bisedimeve në Oman, ministri i Jashtëm i Iranit tha se Teherani dhe Uashingtoni besojnë se bisedimet bërthamore duhet të rifillojnë së shpejti, edhe pse Teherani përjashtoi diskutimet për programin e tij raketor dhe pasurimin e uraniumit.
Abbas Araqchi i tha televizionit Al Jazeera të Katarit më 7 shkurt se të dyja palët ranë dakord që diskutimet duhet të rifillojnë së shpejti, duke shtuar se nuk ka një afat të rënë dakord për takimin e radhës.
“Ne jemi gati të arrijmë një marrëveshje qetësuese për pasurimin”, tha ai.
“Çështja bërthamore iraniane do të zgjidhet vetëm përmes negociatave”.
Netanyahu do të takohet me Trumpin
Në një tjetër front diplomatik, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai do të takohet me Trumpin në Uashington më 11 shkurt për të diskutuar “negociatat me Iranin”.
Netanyahu ka nxitur vazhdimisht Trumpin dhe presidentë të mëparshëm amerikanë të mbajnë një linjë të ashpër ndaj rivalit të betuar, Iranit.
Muajin e kaluar, Netanyahu tha se Izraeli do të kundërpërgjigjej nëse sulmohej nga Teherani me një “forcë që Irani nuk e ka parë kurrë”.
Shtetet e Bashkuara bombarduan objektet kyçe nëntokësore të pasurimit të Iranit në Fordow dhe Natanz gjatë luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit në qershor. /REL

