Ekipi olimpik niset drejt Pekinit

Ekipi olimpik i Kosovës ka udhëtuar sot drejt Pekinit të Kinës, ku prej 4 deri më 20 shkurt 2022, do të mbahen Lojërat e 24-ta Olimpike Dimërore.
Ekipi që është nisur sot nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” përbëhet nga dy skitarët Kiana Kryeziu e Albin Tahiri, trajneri Agim Pupovci dhe shefi i misionit, Bujar Turjaka.
“Ekipi do të udhëtojë për në Pekin përmes Stambollit të Turqisë.Për shkak të masave të marra ndaj pandemisë Covid 19, të katër anëtarët e kipit kanë pranuar dy teste negative për Covid 19, një tjetër test do t’iu bëhet me të mbërritur në aeroportin e Pekinit, ndërsa gjatë ditëve të qëndrimit në Fshatin Olimpik, do t’iu bëhen çdo ditë teste” thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Para nisjes, përzgjedhësi Agim Pupovci, është shprehur optimist se të dy skitarët do të përfaqësojnë denjësisht Kosovën.Komiteti Olimpik i Kosovës iu uron udhëtim të mbarë.