Eklipsi në Amerikën Jugore, mijëra turistë sfiduan shiun për të admiruar spektaklin

Kili dhe Argjentina janë zhytur përkohësisht në errësirë të plotë si pasojë e një eklipsi diellor që u vëzhgua të hënën nga dy shtetet amerikanojugore.
Mijëra kilianë dhe turistë sfiduan reshjet e shiut pas orës 1 të mesditës, ndërsa shkencëtarë amatorë e profesionistë, të pajisur me teleskopë, përgatiteshin të shihnin fenomenin qiellor.
“Ishte i bukur, unik. Realisht askush nuk kishte shpresa që do ta shihte për shkak të motit dhe reve, por të gjitha u hapën në kohë. Ishte si mrekulli, patëm fat.”
“Ishte një errësirë e veçantë, sepse nuk ishte natë, por u bë shumë ftohtë. Nuk jam aspak e zhgënjyer që erdha dhe pata privilegjin ta përjetoj në këtë vend”, trefuan turistët.
Në jugun e Kilit, komuniteti indigjen i Mapuçes kreu një ceremonial të veçantë për eklipsin.
Në kulturën e tyre, eklipsi nënkupton vdekjen e përkohshme të Diellit nga beteja mes një ylli dhe një force të ligë.
“Ceremonia për ne është çështje e rëndësishme, çështje respekti. Kur shohim eklipsin shpresojnë të na sjellë fat, lajme të mira, të korra të mbara dhe shëndet për ne e vendin. Sot të gjithë shpresonim për ditë me diell, por natyra na dha shiun dhe atë që na duhet”, thanë ata.
Para eklipsit, autoritetet në dy shtetet amerikanojugore paralajmëruan banorët të shmangin grupimet në masë për shkak të rrezikut të pandemisë, dhe kufizuan lëvizjet në disa zona.