75 Mall Live Search
12:18 / E Mërkurë, 05 Qershor 2019 / indeksADMonline

Eko lëvizja kërkon heqjen e deponisë së mbeturinave në Mirash

Në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, Partia Eko Lëvizja e Gjelbër e Kosovës sot organizoi protestë afër Deponisë së Mbeturinave në fshatin Mirash, komuna e Obiliqit. Kryetari Arif Krasniqi, përveç ndotjeve tjera që janë nga KEK-u, me këtë deponi është krijuar edhe një ‘bombë”, e cila paraqet një rrezik të madh për qytetarët e Obiliqit dhe të tjerë.

Probleme të tilla sipas tij, ka kudo në Kosovë.

 “Ne sot e kemi përzgjedhë këtë pikë këtu, që mendojmë se është një degradim i mjedisit në përgjithësi. Ka reagime të shumta nga banorët e këtyre fshatrave, Mirash, Dardhosht, të cilët kanë probleme me këtë deponi këtu. Ne kemi informata që kjo deponi prej 2006 është hapur për një kohë të caktuar prej tri vjetësh, mirëpo kjo edhe më tutje vazhdon të jetë e tillë. Kemi informata që me rregull ashtu siç kërkohet nuk punohet, sepse nuk mbulohen mbeturinat fatkeqësisht. Shihen mbeturinat të cilat dalin në atmosferë, lëvizin, dhe kjo paraqet një degradim të veçantë për ndotje”, tha Krasniqi.    

Sejdi Halimi kryetar i degës së kësaj partie në Obiliq, tha se komuna e Obiliqit dhe Ministria e Mjedisit duhet sa më parë ta heqin këtë deponi, ngaqë sipas tij, është bëtë një kancer për banorët e Obiliqit.

Halimi tha se kundërmimi nga kjo deponi është bërë i padurueshëm.

 “Kjo deponi është kanceri më i madh i kësaj komunë.. Gjashtë komuna hedhin mbeturina në këtë deponi. Kjo deponi ka qenë e paraparë për tri vjet, ndërsa janë bërë 13 vjet. Komuna e Obiliqit përveç deponisë, ka është termoelektranat, pluhurin, tash na u ka shtuar edhe kjo deponi këtu. Në ditët e nxehta këtu askush nuk mund të qëndroj prej kundërmimit. Andaj sa më parë kjo deponi e mbeturinave të hiqet”, tha Halimi.

Ndryshe, mbi dhjetë hektarë sipërfaqe ka përfshirë kjo deponi me një milionë tonelata mbeturina që prej vitit 2006. /Indeksonline/