Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor / COVID -19 \

Shkruan: PhD Cand Blerta Haliti Baruti
Përhapja e shpejtë e koronavirusit ne nivel global, ka bërë qe qeveritë të ndermarrin masa të ndryshme, fillimisht për të mbrojtur sistemin e tyre të brishtë shëndetësor, përmes një plani emergjent duke furnizuar me pajisje mjekësore dhe ilaçe, duke përshtatur hapësira mjekësore në pika të specializuara për COVID-19, kanë aplikuar masa stimulus për stafin mjeksor dhe masa tjera në përgjithësi për fazën e parë të pandemisë. Kjo përballja me krizën e COVID-19 ka nxjerrë në pah ndryshimet midis pikave të forta dhe të dobëta të të gjitha ekonomive në zhvillim dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në veçanti. Pandemia ka bërë shumë ndryshime në jetën tonë duke na lënë të kuptojmë rëndësinë e disa gjërave, tani kur kërkesa agregate është në kolaps si rrjedhojë që konsumatorët shmangin aktivitetet që mund t’i ekspozojnë ato ndaj infeksionit (sezoni turistik veror pritet të jetë i dobët, investimet dhe konsumi jo jetik janë shtyrë deri në zgjidhje të pasigurisë lidhur me krizën). Edhe oferta agregate po tkurret për shkak të kufizimeve të vendosura nga qeveritë, të cilat i detyrojnë bizneset dhe kompanitë me aktivitet jo jetik, të cilat nuk mund të plotësojnë kushtet për distancim social, të qëndrojnë mbyllur ose të zvogëlojnë veprimtarinë si masa për me qëllim parandalimin e shpërthimit të pandemisë. Ndonëse disa biznese mund të vijojnë aktivitetin përmes shitjes ose punës online, shumica e tyre kanë dhe do vazhdojnë të përjetojë rënie të produktivitetit. Ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit vendas dhe ndërkombëtar dëmtojnë aktivitetin prodhues, rënia e çmimeve të mallrave ndikon në zvogëlim të marzheve të fitimit në industritë nxjerrëse dhe për pasojë kufizimet e likuiditetit mund të shkaktojnë ndërprerje të mëtejshme në prodhim. Në përgjithësi shtetet e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet edhe Kosova si indikator kryesor të rritjes ekonomike e kanë konsumi (pikë e dobët) i cili përbën më shumë se 60 % të rritjes totale. Ky lloj modeli i rritjes ekonomike në këto vende erdhi si rezultat i rritjes së shpenzimeve publike, politikave të veçanta të pagave si dhe rritjes gati dyshifrore në huamarrjen e familjeve. Kontribues tjetër në rritje ekonomike janë investimi (pikë e fortë) ku ishte rreth 47% në 2019-n kurse eksportet neto ishin kontribues negative. Shtete si Kosova, Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina shënuan rritje të dobët të investimeve gjatë vitit që lam pas, kurse konsumi u rrit fuqishëm si rezultat i rritjes së fluksit të remitancave dhe kredive konsumatore. Shteti që pati rritje ekonomike si ndikim i investimeve ishte Mali i Zi sepse u nxit kryesisht nga realizimi i një investimi madhor publik. Kur jemi te eksportet neto ngadalësuan ritmet e rritjen ekonomike të rajonit përgjatë vitit 2019 po të shiqohet retroaktiv për disa vite 2012-2018 kanë patur mesatarisht kontribut negativ në rritje, për shkak të nivelit të lartë të importeve, numrit të ulët të eksportuesve konkurrues, dhe dobësimit ekonomik të partnerëve kryesorë tregtarë të rajonit, në mënyrë të veçantë të vendeve të BE-së. Indikator tjetër dhe shumë i rëndësishëm për këto shtete janë remitancat, shembull remitancat apo dërgesat e parave në Kosovë nga bashkëatdhetarët ishin mesatarisht 98.30 milion EURO nga 2004 deri në vitin 2019, duke arritur një lartësi gjithsej 608,70 milion EURO, apo përbëjnë 12% deri 15% të PBB të përgjithshëm. Si efekt indirekt në këtë aspekt do kenë rëniet ekonomike jashtë vendit të cilat mund të zvogëlojnë vëllimin e dërgesave të dërguara në Kosovë. Mund të themi në afat të shkurtër, remitancat ka të ngjarë të bien për shkak të masave të kufizimit dhe kufizimeve të tjera; në afat të mesëm, tkurrja e pritur ekonomike në Bashkimin Evropian (burimet kryesore të dërgesave) ka të ngjarë të dërgojë në papunësi më të lartë dhe ulje të prurjeve të dërgesave. Duke pasur parasysh tkurrjen e papritur të aktivitetit ekonomik dhe bazës tatimore të shoqëruar me rritjen e shpenzimeve fiskale në përgjigje të krizës COVID-19, deficiti i buxhetit dhe ngarkesa e borxhit të Kosovës pritet të rritet dy shifrore gjatë një periudhe afatshkurtër nga 17.5% në 2019, në 22.9% (viti 2020), 25.5% (viti 2021) deri në 27% (viti 2022) si përqindje e PBB. Borxhi publik i Kosovës tani ( maj 2020) supozohet se veq ka arritur afro 20% si përqindje e PBB, kjo mund të kalkulohet nga publikimet e shifrave për huamarrjen e jashtme dhe borxhi i brendshëm nga ministria e financave, si ndikim i masave emergjente dhe kompenzim të nënikasimit të të hyrave tatimore te ndikuara nga situate pademike.
Nga momenti i fillimit të krizës është thënë nga shumë ekonomist se kjo krizë është ndryshe fillimisht sepse nuk ka ardhur si pasojë e efekteve ekonomike por ka ardhur si rezulatat i pandemisë/aspekti shendetësor. Prandaj është ndryshe kjo krizë se është një goditje për sistemin shëndetësor në tërësi, që kërkon ngrirjen e përkohshme, të të shumë aktiviteteve. Për më tepër, qeveritë u përgjigjën me mbyllje dhe mbyllje të pjesshme në gjysmën e dytë të marsit, duke mbyllur aeroporte dhe pika të kufijëve tokësor, mbylljen e institucioneve arsimore, restoranteve dhe dyqaneve për mallra dhe shërbime jo jetike, ndalimeve për tubime të mëdha me qëllim ngadalësimin e përhapjes së virusit. Kohëzgjatja dhe thellësia e krizës do të varet nga efikasiteti i masave kufizuese, aftësia e sistemit shëndetsor për të përballuar shpërthimin e pandemisë, si dhe nga suksesi në zhvillimin e trajtimeve efikase dhe vaksinave për sëmundjen. Pastaj politikat ekonomike në vetvete nuk janë të mjaftueshme për t’i dhënë fund krizës, por ato luajnë rol thelbësor: mbrojnë mjetet e jetesës duke ruajtur vendet e punës dhe forcuar rrjetin e sigurisë sociale. Normat e ulëta të punësimit dhe nivelet e larta të papunësisë kanë ndikuar ndjeshëm në frenimin e rritjes gjithëpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor. Në Kosovë (ku punësimi është i ulët dhe kryesisht i përkohshëm) sipas ASK- Agjesionit të Statistikave të Kosovës nga gjithsej 1.833.54 mil popullsi në Kosovë (regjistrimi popullsisë 2011), rreth 632.9 mij persona janë në moshë të duhur/të aftë për punë, deri më tani 41.4% apo 502.6 mij punojnë ndërsa pjesa mbetur janë të papunë 25.5% apo 130.3 mij (të dhënat e vitit paraprak) që do të thotë do ketë ngritje të shifrës së fundit të të papunëve si pasojë e pandemisë. Bosnje-Hercegovinë (nivel i i ulët punësimi dhe shkallë e lartë informaliteti), dhe Shqipëri (nivel i lartë vetë punësimi dhe punësimi informal). Disa vende si Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova që sektor të rëndësishëm e kanë turizmin- shërbimet e turizmit, i bën këto vende më të ndjeshme ndaj ndikimit ekonomik dhe krizës krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Norma e punësimit në Ballkanin Perëndimor në total arriti në 44.3 % në fund të 2019-s, duke pësuar rritje nga 42.7 % në 2018 dhe 36.9 % në 2012. Andaj është e nevojshme një rikuperim i shpejtë ekonomik, duke lehtësuar masat e izolimit do të mund të zhbllokojë konsumin dhe investimet e lëna pezull, të cilat do të inkurajonin rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik. Por goditja mund të ketë dëmtuar rëndë produktivitetin në periudhë afatmesme, duke qenë se ngrirja e aktivitetit ekonomik dhe mungesa e likuiditetit detyron mbylljen e bizneseve të konsoliduara, shkëputjen apo prishjen e marrëdhënieve produktive në zinxhirin e furnizimit, ose largimin e punonjësve me njohuri të konsiderueshme në proceset e punës. Nëse kriza do të shterr burimet e amortizatorëve financiarë publik dhe privat, përpjekjet për të konsoliduar dhe rivendosur bilancet mund të rëndojnë ose ngadalësojnë ndjeshëm rikuperimin ekonomik.
Mbështetja e politikës fiskale është thelbësore për të ndihmuar sektorin privat për të përballuar krizën, por shumica e vendeve të rajonit nuk kanë hapësirë të mjaftueshme fiskale për masa të reja. Ndonëse në nivele relativisht të ulëta, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Malit të Zi, kishin deficite fiskale në 2019-n, kështu që burimet e tyre më të mëdha të financimit mbeten institucionet financiare ndërkombëtare (IFI). Megjithëse ekziston hapësira për thellimin e deficiteve gjatë krizës së COVID-19, e cila duhet të përdoret krahas aktivizimit të masave mbështetëse të politikës ekonomike, këto shtete kanë marrë hapat e parë brenda institucioneve të tyre për menaxhimin dhe lëhtësimin sado pak të bizneseve dhe rrjedhjes së aktiviteteve të tyre përmes politikave fiskale. Sa i përket politikës monetare kuptohet që vendet e rajonit nuk kanë shumë alternativa zgjedhjeje, veçanërisht Kosova dhe Mali i Zi, të cilat adoptuan eurozim të njëanshëm nuk mund te llogarisin në politika monetar. Edhe Bosnje-Hercegovina ka numër të kufizuar të instrumentave për politika aktive monetare për shkak të marrëveshjes së bordit të monedhës. Në raportin e fundit të Bnakës Botërore shihet që deficitet tregtare në Ballkanin Perëndimor arritën në 13.8 % të PBB-së në 2019-n. Sa më shumë të zgjasë ngrirja ekonomike (Izolimi i Madh), aq më të rënda do të jenë pasojat në ekonomi nga kjo krizë e shëndetit publik si rezultat i përdorimit të amortizatorëve të kapitalit dhe likuiditetit në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kjo kohë do të shërbejnë si test për qëndrueshmërinë e ekonomive jo vetëm të Ballkanit Perëndimor por të gjitha shteteve ne botë, test si për ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Vendet duhet të shfrytëzojnë të gjitha opsionet e mundshme për menaxhimin e krizës, duke përfituar nga asistenca e ofruar, siç është aksesi në financim përmes Institucioneve Financiare Ndërkombëtare. Me daljen nga kriza, vendet e rajonit duhet të zhvendosin fokusin e politikave të tyre nga lufta kundër COVID-19 në rifillimin e ekonomisë e si rrjedhim në normalizimin e bilanceve dhe uljen e borxhit të akumuluar gjatë krizës.