75 Mall Live Search
15:38 / E Mërkurë, 30 Maj 2018 / indeksADMonline

Ekskluzive: Dalin detaje në lidhje me “dëshmitarin X”, në Shqipëri po hetohej për trafikim droge

Kanë dalë detaje të reja në lidhje me arrestimin e shtetasit të Shqipërisë, Albert Veliu, i njohur edhe si “dëshmitari X” në rastin e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Punëve të Brendshme në Shqipëri, Fatmir Xhafaj.

Albert Veliu është arrestuar në fundjavë bashkë me te birin e tij Ledion derisa po qëndronin të strehuar diku në rajonin e Shtimes.

Alberti është personi i cili në audiopërgjimin e publikuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë flet me Agron Xhafën për pazare droge.

Burimet e Indeksonline brenda Policisë së Kosovës kanë thënë se në kuadër të disa veprimeve policore dhe hetimore kanë mësuar se autoritetet shqiptare kanë në ndjekje një procedim penal në ngarkim të shtetasit Albert Veliu, për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, procedim penal i regjistruar edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

“Nga kryerja në vazhdimësi e këtyre veprimeve rezulton që shtetasi Albert Veliu ka kaluar kufirin shqiptar në mënyrë ilegale dhe ndodhet në Kosovë. Ky shtetas ka dalë ilegalisht për në Kosovë pasi nuk ka kaluar nga pikat e kalimit kufitar sepse ka pasur njoftim zyrtar që të mos largohej nga Shqipëria”, kanë thënë burimet e Indeksonline.

Ky shtetas me vete në Kosovë kishte marrë edhe djalin e tij, Ledion i cili po ashtu është i arrestuar nga Policia e Kosovës.

Sipas hetimeve policore, këta dy shtetas ishin munduar të kalojnë për në Belgjikë me dokumente të falsifikuara nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës apo kufirit tokësor kosovar për në një vend tjetër fqinj të Kosovës.

Po ashtu, burimet e Indeksonline të afërta me rastin kanë thënë se shtetasi Albert Veliu nuk mund të hyj në Bashkimin Evropian pasi ka ndalesë.

Ndryshe Alberti, 51-vjeç, i njohur edhe si “dëshmitari X”, në rrëfimin e tij të publikuar nga Partia e Lulzim Bashës (PD), kishte thënë se ka qenë në Itali, ku kishte punuar tërë jetën në det, ’93-’99, ndërsa në vitin 2000 thotë se ishte në Itali me grupin e Agron Xhafaj, deri në 2002 ku ka shitur kokainë.

Ai vijon të thotë se në 2005 i ndodhi aksident në punë dhe kreu një dënim prej 7 vjetësh, ku u kap me kokainë, 12 kg.

“U kapa në Pescara, bëra dënimin. Kurse nga Agroni ishte mbetje qejfi. Gjatë kësaj kohe që punonim bashkë, nuk më solli një copë letër si shok. Kur dola nga burgu vij në Shqipëri, e takoj, më ofroi gjoja një nder për punë për djalin, kamarier. Djali është 22 vjeç”, thotë ai./Indeksonline/