Ekskluzive: Ekstradohen Kalemi dhe Çinar, njëri për drogë e tjetri për vjedhje
Dy persona të kërkuar nga drejtësia e Kosovës janë ekstraduar sot nga Shqipëria në Kosovë, pas arrestimit të tyre nga autoritetet shqiptare.
Burime të IndeksOnlinet bëjnë të ditur se njëri nga të ekstraduarit është Albion Kalemi, i cili dyshohet për përfshirje në kultivimin e narkotikëve. Kalemi kishte qenë në mesin e pesë personave që Policia e Kosovës i kishte shpallur në kërkim në gusht të vitit 2024, të dyshuar për kultivim të hashashit dhe kanabisit.
Po ashtu, nga Shqipëria është ekstraduar edhe Semih Çinar, i dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”.
Lajmin për ekstradimin e tyre e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit të policisë, ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
“Të njëjtit ishin arrestuar nga autoritetet shqiptare pasi që kërkoheshin përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, të përfshirë në raste të ndara, njëri për veprën penale ‘kultivim i lëndëve narkotike’, ndërsa tjetri për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’”, thuhet në njoftim.
Policia bëri të ditur se pas ekstradimit, të dyshuarit janë dorëzuar tek njësitet përkatëse policore në rajonin e Pejës dhe Prizrenit për procedura të mëtejshme.
Policia thekson se bashkëpunimi me institucionet vendore dhe ndërkombëtare do të vazhdojë me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale si dhe kapjen e personave të kërkuar nga drejtësia./IndeksOnline/


