21:34 / E Enjte, 04 Shkurt 2021 / A. M.

Ekskluzive/ Flet menaxheri zviceran: Bunjaku ka aplikuar për pasaportë, ai do të luaj për Kosovën

Trajneri i Kosovës Bernard Challandes dhe stafi i Federatës së Futbollit po punojnë për një prurje tjetër të rëndësishme te ‘Dardanët’.

Bëhet fjalë për talentin Orges Bunjaku që luan te Baseli.

Menaxheri i tij, Christoph Graf, ka konfirmuar takimin e zhvilluar me zyrtarët e FFK-së.

Zvicerani deklaroi për Indeksonline se Bunjaku ka aplikuar për pasaportë kosovare dhe dëshira e tij është të luaj për Kosovën.

“Kemi patur një takim me trajnerin Bernard Challandes dhe me kryetarin Agim Ademi para krishlindjeve këtu në Cyrih dhe ka qenë takim shumë i mirë. Do të vazhdojmë diskutimet sepse ende nuk është marrë një vendim definitiv. Orgesi do të takohet përsëri me trajnerin Bernard Challandes. Ka mundësi që ai të vi në mars. Bunjaku ka aplikuar për pasaportën kosovare dhe dëshira e tij është të luaj për Kosovën” deklaroi Graf për Indeksonline.

Menaxheri zviceran ka folur edhe për të ardhmen e mesfushorit shqiptar.

“Ai ende nuk ka mbushur 20 vjet. Orgesi duhet të punojë që të bëhet lojtar i rëndësishëm te Baseli. Natyrisht më vonë do të shikojmë për ta transferuar në klub më të madh. Por në këtë fazë është paksa e rrezikshme të flasim për klub më të madh” shprehet Graf.

/Indeksonline/