Ekskluzive: Futbollisti kosovar rrëfehet për Emiliano Sala, futbollistin e zhdukur në aeroplan
Emiliano Sala po realizonte ëndrrën e tij për të luajtur në Premierligë, aty ku luajnë shumë nga futbollistët më të mirë në Botë.
Por derisa po udhëtonte nga Franca për në Angli ku do të fillonte stërvitjet te Cardiff, aeroplani i tyre ka humbur kontaktet dhe për momentin konsiderohet i zhdukur.

Ish-bashkëlojtari i tij te Nantes, ylli i Kombëtares shqiptare, Ermir Lenjani në një prononcim për Indeksonline ka përshkruan personalitetin e 28 vjeçarit duke shprehur edhe dhimbjen e madhe që ndjenë për këtë humbje.
Lenjani e cilëson Emilianon si një futbollist shumë i ëmbël dhe shumë luftëtar.
“Emiliano ka qenë një luftëtar i madh dhe një person shumë i ëmbël në çdo bisedë. Nuk e ka pasur lehtë gjithmonë dhe tash në dy vitet e fundit me Nantes ka pasur shumë sukses dhe transferimi te Nantes ia ka mundësuar të realizoj ëndrrën për të luajtur në Premierligë“, ka thënë Lenjani për Indeksonline.
“Jam mërzitur shumë që kjo ka ndodhur, nuk po mundi me besu. InshAllah është mirë dhe kam besim në të”, ishin fjalët e tij për ish-bashkëlojtarin.
Ermir Lenjani dhe Emiliano Sala ishin bashkëlojtar te skuadra franceze e Ligue 1 në sezonin 2015/16. /IndeksOnline/
