21:24 / E Hënë, 11 Mars 2019 / indeksADMonline

Ekskluzive: Gjendja jo e mirë e “Fadil Vokrrit” e shtynë derbin Prishtina – Flamurtari

Ndeshja derbi e javës së 23-të në Superligë, në mes të Prishtinës dhe Flamurtarit që ishte parashikuar të zhvillohet në fundjavë, do të shtyhet.

Kjo për shkak që gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk është e mirë.

UEFA i ka shkruar ditë më parë FFK-së, që të mos zhvillohet asnjë aktivitet sportiv në këtë stadium dhe të punohet në përgatitjen sa më të mirë të terrenit për ndeshjet e Kosovës kundër Danimarkës dhe Bullgarisë.

Drejtori sportiv i Prishtinës, Arbnor Morina theksoi për Indeksonline që klubi ka marrë një njoftim nga FFK-ja që të mos luajnë asnjë ndeshje deri pasi Kosova t’i përfundoj duelet e saj.

“Ndeshja me Flamurtarin është shtyrë për datën 27 mars. Ne kemi marrë një shkresë nga FFK-ja në bazë të së cilës jemi njoftuar se nuk mund të luajmë për shkak të gjendjes jo të mirë të fushës” deklaroi Morina.

Muajin e kaluar Prishtina humbi nga Flamurtari 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Indeksonline/