10:16 / E Hënë, 21 Gusht 2023 / S Z

Ekskluzive: Gjykata refuzon MAPL-në dhe i jep të drejt Komunës së Prishtinës

Gjykata Themelore në Prishtinë,  ka hedhur poshtë propozimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL)  me anë të së cilës ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë,  për ndalimin e zbatimit të mbledhjes së Kuvendit të Komunës së Prishtinës të datës 27.06.2023 dhe të gjitha vendimet e nxjerra nga kjo mbledhje, si dhe me kërkesë t’i ndalohet Komunës së Prishtinës që të zbatojë mbledhjen e -V- të Kuvendit komunal të Prishtinës të datës 27.06 2023 dhe të gjitha vendimet e nxjerra nga kjo mbledhje, të lëshuara nga kryesuesi i mbledhjes së Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Ndryshe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte reaguar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme nga opozita e Kuvendit Komunal të Prishtinës për caktimin e kryetarit të ri të Kuvendit Komunal.

MAPL-ja ka thënë se Kuvendi i Komunës së Prishtinës ligjërisht ka kryesues, derisa ka rekomanduar të mos mbahet seancë për zgjedhjen e një kryesuesi të ri, pasi shpjegon se fillimisht duhet të zhvillohen procedura për shkarkimin e tij.

Në shkresën e dërguar asamblistit Ajet Brajshorit dhe kryetarit aktual të Kuvendit Fehmi Kupinës thuhet se “mbledhja e V-të e kryeqytetit e mbajtur më 27 qershor ka përfunduar në atë moment kur kryesuesi i Kuvendit e ka shpallur të mbyllur mbledhjen për shkak të rrethanave të krijuara të cilat kanë pamundësuar vazhdimin e mbledhjes. E njëri nga vendimet që nuk krijojnë efekt juridik është edhe vendimi për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit të kryeqytetit”.