75 Mall Live Search
17:35 / E Premte, 17 Tetor 2025 / MSH

Ekskluzive: Hakmarrja – motivi i të shtënave me armë në Pejë

Një incident ka ndodhur sot rreth orës 16:10, pranë Gjykatës Themelore në Pejë.

Dy persona u plagosën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, që i shkaktoi një i dyshuar.

Ky i fundit, pak çaste pasi kreu krimin, u arrestua nga njësitet policore.

Burime të IndeksOnline pohojnë se zjarri u hap ndaj Alfred Ukajt, dhe Basri Gashit i dyshuar për një vrasje që ndodhi tri vjet më parë, në Klinë.

Mbrëmjen e 22 prillit të vitit 2022, në Vollujakë të Klinës, 23-vjeçari Fazli Hoxha, bashkë me vëllain e tij, u sulmuan me mjete të rënda.

Fatkeqësisht, Fazliu nuk iu mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

Pikërisht vdekja e të riut ishte motivi i të shtënave të sotme, në shenjë hakmarrjeje, pak pasi Gjykata shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurve në rastin e lartpërmendur.

Nga ana tjetër, rreth rastit ka ndarë detaje edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Një person ka gjuajtur me armë zjarri afër Gjykatës. Nga të shtënat e armës së zjarrit janë lënduar rëndë dy persona, të cilët sipas informatave janë në gjendje të rëndë.

Policia e Kosovës ka qenë efikase ku menjëherë në vendin e ngjarjes ka arrestuar personin e dyshuar. Aktualisht po kryhen veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, nga njësitet relevante” deklaroi Nikçi për IndeksOnline.