13:31 / E Mërkurë, 15 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ekskluzive: Humbja milionëshe për Kosovën dhe pesë minutat e Anton Berishës (Dokumente)

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Anton Berisha, i cili prej asaj kohe ka raporte jashtëzakonisht të mira me pronarët e IPKO-s, çuditërisht ishte ngutur jashtëzakonisht shumë që të shpallte kompaninë ”Ipkonet” fituese të Tenderit për Telefoninë e Dytë në Kosovë.

IndeksOnline ka siguruar edhe procesverbalin e minutave të takimit të mbajtur nga përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit me përfaqësuesit e “Kosmocell”-it, më 16 shkurt 2007, ku nga përfaqësuesi italian Rocco Emanuele Castrigano ishin njoftuar për procesin e pagesës nga ana e “Kosmocell”-it, sipas të cilit, procedura e pagesës do të fillonte brenda afatit të paraparë ligjor dhe finalizimi i pagesës në xhirollogarinë zyrtare të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit do të bëhej para datës 26 shkurt 2007.

Në procesverbalin e këtij takimi nuk ekziston asnjë kundërshtim nga zyrtarët e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit apo ndonjë tërheqje e vërejtjes nga ana e tyre rreth këtij afati ligjor, duke nënkuptuar se gjithçka ishte në rregull nëse pagesa do të bëhej para 26 shkurtit. Megjithatë, vetëm katër ditë pas këtij takimi me përfaqësuesin e “Kosmocell”-it, më 20 shkurt 2007, sipas dokumenteve të siguruara nga IndeksOnline, saktësisht në orën 17:05, Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Anton Berisha, njofton kompaninë “Kosmocell”, se nuk i ka përmbushur obligimet ligjore rreth pagesës dhe si rrjedhojë fituese do të jetë kompania “Ipkonet”.

Këtë vendim, Berisha e kishte marrë pa e thirrur fare mbledhjen e Komisionit Special Mbikëqyrës, por vetëm i ishte referuar një takimi me asokohe Ministrin e Financave, Haki Shatrin, pas të cilit kishte vendosur që ta shpallte fituese IPKO-n.

Bazuar në dokumentet zyrtare, ky takim i tyre duket se ka zgjatur më pak se 5 minuta, duke pasur parasysh se afati ligjor, sipas Berishës ka qenë deri në orën 17:00, dt. 20 shkurt 2007, kurse njoftimi i nënshkruar prej tij mban orën 17:05, që zyrtarisht i bie se ishte nxjerrë edhe jashtë orarit të punës së asaj dite.

Njoftimin publik që kishte bërë më 20 shkurt, Anton Berisha e kishte konvertuar në vendim më 23 shkurt 2007, vetëm dy ditë pasi ishte njoftuar zyrtarisht nga kompania “Kosmocell”, se ajo e kishte kryer pagesën e saj.

Operatori fitues “Kosmocell”, më 21 shkurt 2007 kishte ofruar si dëshmi dëftesën e pagesës për çmimin e zotuar ndaj Autoritetit Rregullativ të Telefonisë, por përkundër kësaj, Berisha më 23 shkurt 2007 kishte shpallur vendimin se fituese është kompania “Ipkonet” dhe kjo ka prodhuar tani edhe një kontest gjyqësor në mes të palëve, që Kosovës mund t’i kushtojë edhe humbje të tjera milionëshe.

Në njërën anë, Berisha e kishte përjashtuar kompaninë “Kosmocell”, duke u thirrur në afate ligjore, të kontestuara më pas nga ky konzorcium edhe në Gjykatën Supreme, ndërsa në anën tjetër, çuditërisht ai nuk kishte ndërmarrë asnjë masë ligjore për konfiskimin e Garancionit të Pakthyeshëm Bankar në vlerë prej 16.2 milionë euro ndaj kompanisë “Kosmocell”, siç kërkohej në Pakon Tenderuese, në rast të mospërmbushjes së zotimeve brenda afatit ligjor. /IndeksOnline/

Lexo edhe: http://indeksonline.net/ekskluzive-kurdisen-mashtrimin-e-madh-shteti-nuk-u-konfiskoi-garancionin-e-pakthyeshem-bankar-prej-16-2-milione-euro-dokumente/

Lexo edhe: http://indeksonline.net/skandaloze-mafiopolitika-slejoi-ti-konfiskohen-16-2-milione-euro-kosmocell-it-art-ja-rregullatore-e-telekrimit-dokumente/

Vazhdon: Si vazhdoi beteja për zhvatjen e parasë publike? Kush e paditi Autoritetin Rregullativ të Telekomunikacionit në Gjykatën Supreme? Sa milionë euro i kërkoi si kompensim? Çfarë ndodhi me këtë padi? Etj.