Ekskluzive: “Invalidët” e UÇK-së kërcënojnë me armë komisionin për ta fituar pensionin
Rreth 60 mijë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dolën nga verifikimi i veteranëve të luftës që u bë nga ana e Komisionit Qeveritar në vitin 2012-2013. Ky Komision përbëhej nga 14 anëtar më në krye ish-Komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së, gjeneral Agim Çekun, ndaj 12 prej këtyre anëtarëve, Prokuroria Speciale e Kosovës tashmë ka ngritur aktakuzë duke e përfshirë edhe vet Çekun, nën akuzën për manipulime dhe fryrje të listave të veteranëve të UÇK-së.
Jeton SOPA/Indeksonline
Numrin prej rreth 60 mijë veteranë të UÇK-së e kishin kontestuar edhe shumica e komandantëve të UÇK-së ku kishin deklaruar se është e tejfryrë dhe e manipuluar, e nga ky numër janë rreth 6 mijë veteranë invalidë të UÇK-së që kanë marrë çertifikatën e invalidit nga Komisioni Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve të luftës së UÇK-së.
Indeksonline ka bërë një hulumtim disa javorë rreth kësaj teme ku në bazë të gjetjeve del se edhe shifra prej 6 mijë invalidësh është e fryrë dhe me plot manipulime.
Mijëra aplikime të reja për pension të invalidit të luftës së UÇK-së janë bërë vetëm gjatë vitit 2018 pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe SHSKUK-në, në dhjetor të vitit 2017 ka krijuar një komision mjekësor për përcaktimin e shkallës së invaliditetit.
Ky komision është ndarë në dy grupe me nga tre anëtarë ku në përbërje ka nga një kirurg, psikiatër dhe ortoped, si dhe një komision i tretë për ankesa.
Nëpër të gjitha këto komisione rol vëzhgues kanë zyra e Veteranëve të UÇK-së në Qeveri, ajo e Invalidëve të Luftës dhe Drejtoria e Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të luftës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Procesi për përcaktimin e shkallës se invaliditetit të veteranëve të UÇK-së po del të jetë tepër i vështirë dhe sfidues për anëtarët e komisionit mjekësor. Njerëz të armatosur janë futur me armë në zyrat e Ministrisë së Punës duke i kërcënuar mjekët.

Qysh në fillimin e punës së komisionit mjekësor në janar të vitit 2018, ky komision ishte përballur me kërcënime dhe presione nga individë të caktuar të cilët janë refuzuar nga ana e komisionit, kërcënime të cilat janë bërë madje edhe nën tytat e armëve. Njerëz të armatosur kanë hyrë në zyrat ku kishte filluar punën komisioni i përbërë nga mjekë profesionist të fushës si specialist të kirurgjisë dhe psikiatrisë. Një komision i përbërë nga 4 mjekë të tillë kishte dhënë dorëheqje qysh me fillimin e punës për shkak të këtyre kërcënimeve dhe presioneve.
Mirëpo institucionet kishin emëruar një komision tjetër i cili po vazhdon punën me përkushtim pavarësisht kërcënimeve dhe presioneve që po u bëhen nga individ të ndryshëm.
Të gjithë këta janë ish- ushtarë të UÇK-së që tashmë po tentojnë të bëhen invalidë në mënyrë që të përfitojnë beneficione të majme nga ana e shtetit, pensione të cilat arkës së shtetit po i kushtojnë dhjetëra miliona euro në vit.
Dhjetëra burra trupmëdhenj që nuk pranuan të intervistoheshin nga Indeksonline, qëndrojnë në këmbë dhe presin në radhë çdo ditë para zyrës së komisionit verifikues pranë MPMS për tu ekzaminuar në detaje nga ana e komisioneve mjekësore, e ku deri më tani afër 70 % të tyre nuk po e kalojnë invaliditetin mbi 20% në mënyrë që të futen dhe përfitojnë pensione nga ana e shtetit.

Indeksonline i ka bërë disa ditë fotografi fshehurazi në zyrat e Ministrisë së Punës, por për shkaqe profesionale janë mbuluar fytyrat aplikantëve.
Në mesin e aplikantëve të rinj për të marrë pension të invalidit shihen kategori nga me të ndryshmet të shoqërisë duke përfshirë edhe pjesëtar të Policisë së Kosovës, pjesëtar të FSK-së, madje sipas burimeve të Indeksonline kanë aplikuar edhe ish-Komandant të FSK-së dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës që iu është refuzuar invaliditeti.
Ekipi i Indeksonline ka bërë një intervistë me Drejtoreshën e Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të luftës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Shqipe Krasniqi e që është motra e heroinës Xhevë Lladrovci.

Ajo tregon rrjedhën e këtij procesi dhe vështirësitë që kanë hasur dhe
po hasin në vazhdimësi.
“Sfida ka qenë jashtëzakonisht e madhe, komisioni i mjekëve ka qenë i ri dhe të papërvojë në këtë drejtim duke pas parasysh që shumica e tyre janë refuzuar vërtetë kemi pasur sfida por herë pas here kemi pasur edhe kërcënime ndaj komisioneve mjekësore, prandaj për neve ka qenë jashtëzakonisht e vështirë sepse secili ka ardhur duke e shprehur mllefin e nervozen se pse nuk e kanë fituar invaliditetin. Por të them të drejtën te shumica përgjigja është e saktë dhe adekuate. Kanë kaluar 20 vite dhe plagët janë shëruar dhe janë mbyllur dhe shumica prej aplikantëve nuk e kanë ruajtur dokumentacionin e luftës, të gjithë ata që kanë aplikuar mund të them se 96% e kanë pasur dokumentacionin e 2017 ose 2018 të cilin mjekët e kanë marrë me rezerva”.
Shqipe Krasniqi tregon edhe për shifrat e atyre që kanë aplikuar dhe i janë nënshtruar ekzaminimeve mjekësore për të marrë pension të invalidit pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Nga këto aplikime të reja po del se kanë aplikuar mijëra invalid të UÇK-së të cilët i kanë marrë çertifikatat e invalidit në kohën e aplikimit të përgjithshëm kur është bërë në vitin 2012-13.
“Kemi pasur 2 725 aplikime, raste të reja për invalid të luftës ndërsa ne i kemi shqyrtuar 3 075 kërkesa, sepse këtu kemi pas edhe qindra kërkesa për rivlerësim pra janë ata që kanë qenë edhe më herët dhe kanë dashur që ta rrisin shkallën e invaliditetit. Prej 2 725 rasteve të reja në komision kanë kaluar 967 raste ndërsa të tjerët pra shumica janë refuzim ose konfirmim i shkallës së invaliditetit”.
Drejtoresha e Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të luftës në MPMS tregon edhe për kërcënimet ndaj komisionit mjekësor që kanë pasur gjatë punës së tyre edhe brenda ambienteve të Ministrisë.

“Këto kërcënime kanë filluar qysh në fillim të punës ku si pasojë e kërcënimeve katër mjekë kanë dhënë dorëheqje sepse ju është dukur procesi i vështirë dhe i mundimshëm. Kemi pasur 3-4 raste kur kanë hy persona edhe me armë duke i kërcënuar anëtarët e komisionit dhe këto raste janë lajmëruar në polici dhe policia është marrë me ta. Unë nuk e di a i kanë pasur me leje apo pa leje ato armë, kjo është punë e policisë.
Por në mesin e aplikantëve për të përfituar pension ivalidor kanë ardhur edhe shumë persona me çertifikata të falsifikuara, gjoja se janë invalid të UÇK-së. Këto raste komisioni mjekësor i kishte hetuar në bazë të historive të trilluara dhe të sajuara nga këta persona. Në këtë proces ka hije dyshimi edhe me nënshkrimet e disa mjekëve të cilët kanë dhënë nënshkrime të cilat nuk përkojnë me gjendjen reale shëndetësore të invalidëve të UÇK-së”, ka thënë Krasniqi.

Sipas saj, komisioni është përballur me raste nga më të ndyshmet ku përveq falsifikimit të çertifiktave shumë persona kishin trilluar edhe histori të ndryshme.
“Kanë ardhur invalid me dokumente të falsifikuara pastaj gjatë intervistimit të tyre ata kanë trilluar histori të ndryshme dhe janë zënë në gënjeshtër, prakanë qenë histori e ngjarje të huazuara nga dikush tjetër etj. Pastaj kemi pasur bukur një numër të madh të veteranëve që kanë aplikuar me dokumente false sepse ne kemi bashkëpunim edhe me zyrën e veteranëve në qeveri dhe pasi që ne kemi vërtetuar se ato dokumente nuk janë lëshuar nga zyra e tyre, ne e kemi bërë listën dhe e kemi lajmëruar Prokurorinë dhe ata kanë ardhur dhe i kanë marrë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. I kemi disa mjek që vërtetë kanë lëshuar vazhdimisht raporte që nuk kanë përkuar me gjendjen aktuale të personit dhe kur kanë ardhur edhe njerëz të tjerë me nënshkrimin e këtyre mjekëve nuk është marrë për bazë për arsye se nuk kanë qenë më të besueshëm si mjekë”, ka thënë ndër të tjera Krasniqi.

E tërë procesin krahas hetimit për fryrje të listave të veteranëve të UÇK-së kishte filluar ta hetojë prokurori tashmë i larguar nga Kosova, Elez Blakaj.
Nesër do të lexoni, rrëfimin e kryetarit të komisionit mjekësor, A.M.
Si janë kërcënuar anëtarët e komisionit nga njerëz të armatosur në vendin e punës?
Si i kanë shkuar disa herë persona të dyshuar në mesnatë në shtëpinë e tij?
Si është përcjellë dhe ndaluar dr.A.M., nga policë civil?
Çfarë thotë Policia e Kosovës dhe Prokuroria për këto kërcënime?
A është duke e hetuar Prokuroria e Shtetit këtë proces që e kishte nisur ish prokurori Elez Blakaj?
Çfarë thotë Blakaj për këtë proces?