Ekskluzive/ Ismajli flet për golin e parë me Shqipërinë, Kosovës ia dëshiron gjithë të mirat

Mbrojtësi i Shqipërisë, Ardian Ismajli realizoi golin e parë në karrierë me fanellën “kuqezi”, në fitoren 3-1 kundër Kazakistanit.
24-vjeçari thotë se ndjesia e atij momenti nuk përshkruhet me fjalë. “Ishte ndjenjë e papërshkrueshme për mua. Jam i lumtur për paraqitjen në aspektin individual dhe ekipor. Në përgjithësi luajtëm ndeshje shumë të mirë. Kemi luajtur si grup. Tashmë kemi një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Bjellorusisë. Realisht, e kemi ekipin më të mirë në grup. Jemi në valle për vendin e parë që ta përmbyllim me sukses Ligën e Kombeve. Besoj që është sukses i madh të kalojmë nga Liga C në Ligën B sepse këtu ku jemi janë ekipe mesatare, ndërsa në Ligën B do të kemi minimumi 2 ndeshje me ekipe shumë të forta dhe do të jetë përvojë shumë e mirë”, deklaroi Ismajli për Indeksonline.
Qendërmbrojtësi nga Prishtina, që dikur ishte kapiten i Kosovës U21 thotë se e përcjell çdo ndeshje të Kosovës.
Ai mendon që takimi kundër Moldavisë do të jetë një pikë kthimi për “Dardanët”.
“Unë jom lind dhe rrit në Kosovë. E përcjelli Kosovën rregullisht dhe ia dëshiroj më të mirat. Ndeshja e fundit kundër Sllovenisë ishte shumë e mirë. Mendoj që me Moldavinë do të jetë pika e kthimit. Ekipi osht shumë i ri dhe Kosova ka një gjeneratë të mirë. Nuk duhet të harrohet që kundërshtarët janë të fortë tan, por kjo është përvojë e mirë që do t’i shërbejë në vazhdim”, thotë Ismajli.
Reprezentuesi shqiptar flet edhe për kalimin në Serie A te Spezia. Ai beson që shumë shpejt do të jetë titullar te ekipi italian.
“Kam pas një periudhë dymujore që nuk kam stërvitur. Po ashtu kisha probleme paksa edhe me dokumentacionin. Jam i lumtur që debutova 10 minuta kundër Juventusit. Ndeshjet me Kombëtaren besoj se do të më ndihmojnë që të gjej ritmin dhe shpresoj që do të jem titullar te Spezia” theksoi 24-vjeçari.
Shqipëria do të luajë të mërkurën kundër Bjellorusisë në “Air Albania Stadium” nga ora 16:00. Vetëm me fitore do të përfundonte në grup si lider.