Ekskluzive: Ja kush është Muharrem Qerimi, i dyshuari për bashkpunim me BIA-n serbe
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
Njëri prej tyre është Muharrem Qerim nga Ferizaj. Indeksonline mëson se ai në të kaluarën ishte hetues në Policinë e Kosovës, deparatamenti kundër Krimeve të Rënda.
Në telashe me drejtësinë ishte edhe vëllai i tij, ish-hetuesi i Policisë së Kosovës, Shpend Qerimi. Ai është dënuar me 25 vjet burg për shpërthimin e vitit 2007 te lokali “Sekiraqa” në Prishtinë, që shkaktoi vdekjen e dy personave.
Kujtojmë se Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani u arrestuan gjatë ditës së sotme për bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA). Ata janë ndaluar për 48-orë, tha sot Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në një njoftim për media, Prokuroria Speciale konfirmoi operacionin e zhvilluar në bashkëpunim me Agjencisë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës që rezultoi me arrestimin e dy spiunëve të dyshuar.
Prokuroria tha se dy të dyshuarit e ndaluar kanë nënshtetësi kosovare.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së”, tha Prokuroria.
Ditëve në vijim, Prokuroria Speciale tha se do të ndërmarrë hapa të tjerë hetimorë lidhur me këtë çështje. /Indeksonline/