Ekskluzive: Kapiteni i parë i Kosovës ndërkombëtare kujton me mallë ndeshjen me Haitin
Sot shënohet 5 vjetori i ndeshjes së parë ndërkombëtare të Kosovës në futboll. Më 5 mars 2014 Kosova kishte barazuar 0-0 me Haitin në Mitrovicë. Trajneri Albert Bunjaku, atëkohë kishte vendosur që shiritin e kapitenit ta mbante Anel Rashkaj. Në një intervistë ekskluzive për Indeksonline, Rashkaj ka rrëfyer emocionet e asaj ndeshje.
“Është një ditë që nuk harrohet lehtë. Pas shumë viteve pritje ajo ndeshje ishte e para zyrtare. Ka pasur shumë emocione dhe shumë kujtime në atë ditë. Përkrahja ishte fantastike. Më kujtohet në hotel herët në mëngjes erdhën disa autobusa me tifozë. Pastaj rrugët për Mitrovicë ishin të bllokuara me tifozë. Atmosfera në stadium ishte fantastike” deklaroi Rashkaj për Indeksonline.

Nga 11 futbollistët që kishin startuar në atë ndeshje me Haitin, asnjëri nuk kishte luajtur në ndeshjen e fundit kundër Azerbajxhanit. Këtë ndryshim të madh Rashkaj e shpjegon kështu:
“Nuk më çuditë shumë ky fakt sepse karriera e një futbollisti mund të ndërroj shumë shpejt kahjen. Një tjetër arsye është se tani konkurrenca është shumë më e madhe. Atëherë disa kanë qenë në moshë dhe nuk kanë pasur edhe shumë vite për të luajtur e disa nuk e kanë marrë hapin e rëndësishëm të luajnë në ndonjë ekip më konkurues. Unë isha njëri prej tyre” deklaroi Rashkaj.
29 vjeçari që ishte pjesë e skuadrës së Prishtinës në vitin 2017, tani mbron ngjyrat e skuadrës suedeze Eskilstuna. /Indeksonline/