75 Mall Live Search
11:11 / E Enjte, 20 Maj 2021 / Blerim

Ekskluzive: Mosmarrëveshje ndërmjet FFK-së dhe kompanisë “Fourteen”

Ka kohë që tifozët e Kombëtares së Kosovës janë duke pritur për fanellat e reja.

Pak para ndeshjeve të para në fazën para-kualifikuese për Kupën e Botës ‘Katari 2022’, Federata e Futbollit të Kosovës prezantoi logon dhe fanellat e reja, shkruan IndeksOnline

Ata vazhduan bashkëpunimin me firmën e njohur ‘Fourteen’ që ka bazën në Gjenevë të Zvicrës.

Për t’u pajisur me fanellën ‘Dardane’, është dashur ta porositësh në sajtin ‘online’ të ‘Fourteen’ dhe të presësh me javë të tëra deri në mbërritjen e saj. Përveç pritjes, çmimet janë goxha të fryera (deri në 120 euro).

IndeksOnline mëson ekskluzivisht se ‘Fourteen’ ka një paqartësi kontraktuale me Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Vonesat e porosisë së fanellave po ndodhin për shkak të paqartësive kontraktuale në mes të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kompanisë Fourteen S.A me seli në Gjenevë, në lidhje me të drejtën e shitjeve të produkteve të Kombëtares së Kosovës”, kanë thënë drejtuesit e kompanisë WAVE Partners, që kanë marrë të drejtën e shitjeve të fanellave në Kosovë.

Përveç kësaj, pakënaqësi ka edhe në të drejtën e shfrytëzimit të sloganit të Dardanëve në fanellën e Kosovës.

“Raised by war, stronger than fear”.

IndeksOnline merr vesh se shumë tifozë kanë porositur fanellat e Kosovës, por ato janë vonuar me muaj për shkak të këtij problemi dhe ka mundësi që ato të mos-vijnë fare.

“Nëse kjo çështje nuk zgjidhet brenda kësaj jave, mjetet e juaja do të kthehen në llogarinë tuaj.”, thonë nga selia e Fourteen./IndeksOnline/