Ekskluzive: Nga marsi pritet të hapen dyert e ‘Fadil Vokrrit’ për tifozët në ndeshjet e Kosovës

Në mars të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë kishte urdhëruar ndalimin e të gjitha aktiviteteve sportive në vend.
Pas një pauze 3-mujore, ishte vetëm Superliga e Kosovës në futboll që mori leje speciale të vazhdonte aktivitetin, por pa praninë e shikuesve.
Tifozë nuk pati në asnjërën ndeshje të Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve, gjatë 3 muajve të fundit.
Mungesën e tyre, futbollistët e Kosovës e kanë cilësuar disa herë si faktor ndikues në rezultatet negative.
Megjithatë, ka shumë shpresë që ndeshjet e Kombëtares së Kosovës në kualifikimet e Kampionatit Botëror, t’i ndjekin nga stadiumi.
Ministrja e Sportit, Vlora Dumoshi, në intervistë për Indeksonlinen ka deklaruar se do të ketë takim me zyrtarët e FFK-së për të harmonizuar qëndrimin dhe pastaj mund të parashtrohet kërkesa që të lejohet hyrja e një numri të caktuar të tifozëve në ndeshje futbolli.
“Uroj që numri i të infektuarve të bie, që të ketë shikues në stadiume. Pasi u hodh shortit për Kosovën, unë do ta kem një takim me Federatën e Futbollit. Do të koordinohemi bashkarisht si prej ditës së parë të pandemisë. Ne do t’i dërgojmë kërkesat tona, por vendimet i merr Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Unë vet kam qenë sportiste dhe e di çfarë do të thotë me pas përkrahjen e shikuesve. Prej ditës së parë të pandemisë e deri më sot siç kam vepru si ministre e sportit do të jem në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit kompetent. Kjo kohë e pandemisë po na sfidon, por ne duhet t’i respektojmë të gjitha rregullat e IKSHP-së”, ka deklaruar Dumoshi për Indeksonline.
Në muajin tetor, UEFA-ja mori vendimin që shikuesit të lejohen në 30% të kapaciteteve të stadiumeve.
Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon secilit shtet që varësisht prej situatës me Covidin-19 mund ta zbatojë këtë rregullore ose jo.
/Indeksonline/