75 Mall Live Search
09:18 / E Premte, 03 Nëntor 2023 / k.v

Ekskluzive: Specialja arreston Isni Kilajn

Me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë është arrestuar ish komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj nga Malisheva.

Arrestimi ka ndodhur në mesnate pas bastisjeve që i është bërë në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe Lubizhdë të Malishevës.

Lajmi për Indeksonline është konfirmuar nga familjarët e Kilajt të cilët thonë se nuk kanë asnjë informacion pse është arrestuar ai.

Kilaj pas arrestimit është dërguar në bazën e EULEX-it ku sipas familjarëve pritet të niset për në Hagë.

Mbrëmë në mesnatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se është duke kryer operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

“Operacionet e ZPS-së këtë javë janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

IndeksOnline do t’iu mbajë të informuar në lidhje me rastin….