Ekskluzive: Vëllai i Rejan Belës dyshohet si organizatori i grupit ekstremist, që vrau rreshterin Lika

Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Muhamed Lika, gjatë një aksioni të gjerë të zhvilluar mëngjesin e së hënës në Kaçanik.
Burime të IndeksOnlinet, të afërta me rastin, kanë bërë të ditur se në mesin e të arrestuarve është edhe H. Bela – vëllai i Rejan Belës. Ai dyshohet të jetë organizatori i grupit ekstremist, pjesë e të cilit janë edhe një ish-polic dhe një ish-ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët thuhet se kanë braktisur institucionet për t’iu bashkuar këtij grupi.
Sipas hetimeve, Rijad Bela dyshohet si autori kryesor i vrasjes së rreshterit Lika, ndërsa vëllai i tij, H. Bela, besohet të ketë luajtur rolin kryesor në organizimin dhe strukturimin e këtij grupi të rrezikshëm.
Po ashtu pjesë e grupit është edhe një familjar i tyre, T.Bela, i cili po ashtu ndodhet nën pranga.
Në një konferencë për media të mbajtur në Ferizaj, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, thanë se motivet e mundshme të kësaj vrasjeje lidhen me “punën e viktimës si zyrtar policor”.
Hetimet dhe bastisjet lidhur me rastin janë ende në vijim, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar dëshmi që pritet të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të këtij rasti të rëndë kriminal./IndeksOnline/
