75 Mall Live Search
22:29 / E Martë, 04 Nëntor 2025 / MSH

Ekspertët: Arrestimi nga Serbia, shkelje e sovranitetit të Kosovës

Në fundjavë, në zonën e Leposaviqit, sipas Policisë së Kosovës, një shtetas i Kosovës i nacionalitet serb dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmeria serbe.

Për këtë veprim ka reaguar presidentja Vjosa Osmani e cila e dënoi rastin duke e cilësuar këtë akt si një shfaqje të qasjes hegjemoniste të Serbisë. Edhe ekspertët e sigurisë thonë se ky veprim i Serbisë është shkelje e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Dy ditë me parë, një shtetas i Kosovës, i nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe. I njëjti është dërguar me autoambulancë në  drejtim të qytetit të Nishit në Serbi.

Ky rast ka ngjallur reagime nga drejtuesit e shtetit të Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani, këtë akt e ka quajtur dëshmi të qasjes hegjemoniste të Serbisë. Edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia po vazhdon veprimet destabilizuese ndaj Kosovës, duke cenuar integritetin territorial.

Ekspertët e sigurisë e shohin me shqetësim rastin e arrestimit dhe rrëmbimit të një qytetari serb në veri të vendit nga xhandarmeria e Serbisë, shkruan RTK.

Njohësi i fushës së sigurisë, Arben Dashevci, thotë se kjo është vazhdimësi e luftës hibride të Serbisë karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Sepse ata gjithmonë shkojnë me moton: ‘Kush nuk është me atë establishment, është edhe armik i tyre’. Kjo është lufta e ashtuquajtur hibride që zhvillon Serbia gjithandej në Ballkan, e posaçërisht në Republikën e Kosovës, e në këtë rast ndaj qytetarëve të komunitetit serb”, tha Dashevci.

Edhe Avni Islami thotë se veprimet e tilla të Serbisë paraqesin shkelje serioze të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

“Pavarësisht komunitetit që i përket -serb apo shqiptar- për regjimin serb çdo qytetar që nuk bashkëpunon me të konsiderohet armik. Për personin e rrëmbyer, i cili raportohet se është plagosur rëndë, vitin e kaluar mediat pro-serbe në Beograd e akuzuan se ishte bashkëpunëtor i institucioneve të Kosovës. Ajo çfarë ka ndodhur me te është e planifikuar nga BIA serbe dhe institucionet e sigurisë së Serbisë”, tha Avni Islami, njohës i sigurisë.

Ekspertët theksojnë se pavarësisht pranisë së misionit të KFOR-it në veri, institucionet e sigurisë së Kosovës duhet të jenë edhe më vigjilente dhe në koordinim, për të mos lejuar cenimin e sovranitetit të vendit nga Serbia.

Ndërkaq, sipas Policisë, Millan Vukashinoviq, qytetar i Kosovës me nacionalitet serb, u rrëmbye të shtunën nga xhandarmëria serbe. Avokati i tij Ivan Niniq ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e Vukashinoviqit është e rëndë. Niniq ka thënë gjithashtu se nga vendi i ngjarjes është zhdukur automjeti i klientit të tij, një Lada Niva, si dhe të gjitha gjërat personale të tij.