Ekspertët e ekonomisë: Moskonstituimi i kuvendit bllokon investimet

Moskonstituimi i kuvendit ka ndikuar keq e do të lë pasoja të mëdha edhe në ekonomi. Kështu thonë përfaqësues të bizneseve e ekspertë të ekonomisë. Sipas tyre, si pasojë e moskonstituimit të kuvendit dhe mungesës së një qeverie fuqiplotë, qindra miliona euro janë të bllokuara dhe nuk po mund të investohen në Kosovë.
Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës për muaj të tërë dhe mungesa e një qeverie fuqiplotë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, po ndikon jashtëzakonisht për të keq edhe në ekonomi. Kështu thotë për Radio Kosovën kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, teksa thekson se qindra miliona euro investime janë të bllokuara.
“Në kuvend rrinë tani marrëveshje ndërkombëtare që janë në vlerë mbi 900 milionë, projekte kapitale, të cilat janë paraparë për investime në Kosovë, e të cilat nuk po mund të votohen për shkak se nuk e kemi kuvendin funksional e fuqiplotë. Të gjitha këto mjete nuk po mund të hyjnë në treg dhe qarkullim, e kjo pa dyshim që ndikon drejtpërdrejt për të keq në rritjen ekonomike – pra ndikon në rënien e rritjes ekonomike e po ashtu edhe në varfërimin e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, po pamundësohen edhe reforma të domosdoshme në ekonomi, thotë Rafuna.
Ndërsa, edhe eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thekson se dëmet nga moskonstituimi i Kuvendit janë të shumta për ekonominë vendore.
“Në vend që të kemi diplomaci aktive qoftë politike, qoftë ekonomike, që të përfitohet në interes të Kosovës, ne e kemi vendin pa institucione të dala nga vota e 9 shkurtit. Në aspektin ekonomik ka shumë marrëveshje të pa ratifikuara të cilat Kosovën po e dëmtojnë më tepër se 1 miliard e 200 milionë euro. E them këtë bazuar në faktin që vetëm për projekte të pezulluara nga masat e Bashkimit Evropian siç janë fondet IPA dhe nga fondi investiv i Ballkanit Perëndimor janë 613 milionë euro”, tha Gërxhaliu.
Ekonomisti Ardijan Sahiti, thotë se zhvillimet politike që pasuan pas zgjedhjeve të shkurtit, do të lënë pasoja afatgjate në ekonomi.
“Kosova është ekonomi në zhvillim, por shumë e ndjeshme, andaj edhe ka nevojë që në çdo kohë të thithë sa më shumë fonde e investime. Dëmi më i madh që shkaktohet nga kjo gjendje moskonstituimi i Kuvendit, është mungesa e thithjes së investimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Kështu që, nëse ne i humbim këto fonde apo i vonojmë, atëherë efekti i dëmit në të ardhmen do të jetë kumulativ, sepse nëse ne do të investojmë 1 milion euro tash ato në të ardhmen në efektin kumulativ do të shumëfishohen e do të bëhen 10 apo edhe më shumë milionë”, tha Sahiti.