75 Mall Live Search
22:49 / E Diele, 15 Qershor 2025 / AR

Ekspertët e sigurisë: “Sfilatat” e qeverisë në detyrë në veri, cenim për sigurinë e zyrtarëve që punojnë atje

Vizitat e krerëve të institucioneve të Kosovës në veri të vendit sipas njohësve të çështjeve të sigurisë po përdorën për nxitje të elektoratit. Por, sipas tyre shfrytëzimi i veriut lë pasoja në aspektin e sigurisë.

Përurimi i nënstacionit policor në Izvor të Zveçanit ia nxori edhe disa aktivitete tjera të hënën Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti e disa vartësëve të tij në pjesën veriore të Kosovës.

Ata vizituan hapësirat e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike Ibër-Lepenci të marra në dorë së fundmi nga strukturat paralele.

Takuan banorë të lagjes së Kroit të Vitakut në Komunën e Mitrovicës së Veriut e kryetarin e kësaj komune, Erden Atiq.

Madje, vizita në sheshin e kësaj komune nxiti reagim edhe nga një parti e komunitetit serb atje.

Sipas ish-inspektorit të AKI-së, Shkelzen Sopjani këto vizita janë pjesë e fushatës në prag të zgjedhjeve lokale por sipas tij sjellin pasoja.

“Këto fushata  nuk i sjellin kurrfarë dobie gjendjes së sigurisë në atë pjesë dhe nuk kontribuojnë për sigurinë e pjesëtarëve të strukturave të sigurisë në atë pjesë përkundrazi mund të ndikojnë në tensionimin e sigurisë duke e ditë gjendjen e brishtë atje”, ka deklaruar Sopjani për Tv Dukagjinin.

Ndërsa sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Drizan Shala përdorimi politikisht  i veriut, dëmton proceset e sigurisë dhe për këtë e ka një arsyetim.

“Fakti që kemi një situatë një kaos e fragjilitet në Prishtinë, nuk do të duhej të ishte e favorshme që të kemi aktivitete në pjesën veriore të cilat munden me cenua punën e institucioneve të sigurisë të cilët janë veçse të stërngarkuar e të mbingarkuar me luftën hibride në forma të ndryshme në drejtim të tyre”, ka theksuar Shala.

Këtë javë kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Facebook kishte shkruar se Veriu i Kosovës nga një regjion me prani jo vetëm të terroristëve dhe kriminelëve serbë, por edhe një nga lokacionet më proruse, tashmë është stabilizuar dukshëm sipas tij, kjo falë veprimeve që Qeveria e tij ka ndërmarrë.