Ekspertët japin vlerësimin për ritestimin e kandidatëve për patentë shofer
Një vendim i Ministrisë së Infrastrukturës, i cili ende s’ka hyrë në fuqi, vlerëson se të gjithë shoferëve që bëjnë kundërvajtje në trafik do t’i nënshtrohen edhe një herë testimit për patentë shofer. Por, kjo pritet të ndodh edhe me shoferët që kanë përvojë në komunikacion.
Kështu ka thënë ministri Lekaj duke theksuar edhe njëherë që të gjithë shoferët, qofshin ata të rinj, fillestar apo profesionist do të ritestohen përmes trajtimeve shtesë dhe testet përkatëse.
“Për të gjithë personat, qofshin shoferë të rinj, fillestarë ose profesionistë, parashihet rivlerësimi i njohurive të trafikut përmes trajnimit shtesë dhe nënshtrimit të testit përkatës, për të cilët me vendim të gjykatës kompetente u është revokuar patenta e shoferit. Këto praktika zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian, janë të parapara me ligjet tona dhe do të fillojnë të aplikohen edhe në vendin tonë, por për të gjitha këto me kohë do të njoftohet opinioni i gjerë”, pati thënë Lekaj.
Por një gjë e tillë nuk po cilësohet e drejt nga eksperti i komunikacionit rrugorë, Nol Dedaj. Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka thënë se testimi i të gjithë kandidatëve për patentë shofer nuk mund të ndodh për shkak të numrit të madh të tyre.
“Çështja e ritestimit të kandidatëve për patentë shofer në Republikën e Kosovës është një veprim i pamundshëm, për shkak se ne në Kosovë i kemi hiq më pak se 450 mijë deri në 500 mijë drejtues të automjeteve që sot janë legal dhe drejtojnë automjete nëpër Kosovë” është shprehur Dedaj.
Por ai ka theksuar se ritestimi i kandidatëve që kanë kundërvajtje në trafik mund të bëhet vetëm me një vendim gjykate, në rast se ata kanë humbur 9 pikë për shkak të kundërvajtjes. Pra, sipas kundërvajtjes duhet të jepet edhe vendimi për llojin e ndëshkimit.
“Gjykatat janë ato që vinë me verdiktin për ndëshkimin e tyre, procedura për ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve, të cilët bëjnë vepra të kundërvajtjes në komunikacion, janë shumë të qarta që brenda dy viteve nëse drejtuesit të automjeteve i eliminohen 9 pikë, drejtuesi i automjetit duhet t’i nënshtrohet nga fillimi procedurën e marrjes së patentë shoferit” ka shpjeguar Dedaj duke shtuar se kjo është procedura që duhet të ndiqet.
Sipas Dedajt, ritestimi i kandidatëve për patentë shofer nuk do të përmirësonte gjendjen sa i përket sigurisë rrugore.
“Çështja e sigurisë rrugore është e mbrojtur me ligj dhe është procedurale sa i përket marrjes së patentë shoferit derisa ministri Pali nuk e ka të rregulluar si institucion brenda qeverisë së tij për sigurinë rrugore” ka thënë ai.
Nol Dedaj ka marr edhe një shembull nga standardet evropiane të ritestimit të kandidatëve, ku përmendet si fakt edhe “edukimi” i drejtuesit të makinës.
“Për të përmirësuar gjendjen në komunikacion duhet të ketë edhe institute përkatëse që marrin masa edukative kundrejt këtyre kandidatëve. Standard evropian është se në qoftë se një drejtues i automjetit takohet dy ose tre herë nën ndikimin e alkoolit, atij i merren komplet pikët dhe dërgohet në trajnim të një instituti që i dedikohet sigurisë rrugore dhe pasojat e vozitjes në gjendje të dehur” ka përfunduar ai.
Ndryshe, Ministri Lekaj ritestimin e ka konsideruar si faktor për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe si faktor në krijimin e besueshmërisë më të madhe të patentë shoferit të Republikës së Kosovës, në vendet e Evropës dhe më gjerë./Indeksonline/