75 Mall Live Search
08:35 / E Enjte, 15 Tetor 2020 / indeksADMonline

Eksperti që këshilloi Kosovën në rrugën drejt pavarësisë:Republika Srpska nuk do të jetë model për Asociacionin

Serbia nuk ka alternativë tjetër pos pranimit të pavarësisë së Kosovës, por edhe kjo e fundit duhet të ofrojë garanci shtesë për minoritetin serb, thotë Nicholas Whyte, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare që ka këshilluar Kosovën në rrugën drejt pavarësisë. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Whyte thotë se Kosova nuk ka arsye të frikësohet nga autonomia e gjerë për serbët, pasi nuk mund të ketë model të ngjashëm me Republika Srpskan në Bosnjë e Hercegovinë. Ai nuk pret që marrëveshja finale të arrihet së shpejti, por beson që BE-ja dhe SHBA-ja do të punojnë krah për krah drejt zgjidhjes afatgjate të mosmarrëveshjeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Nicholas Whyte aktualisht drejton organizatën APCO, me seli në Bruksel, që është grup këshillues dhe avokues për komunikim dhe konsulecë.

Zoti Whyte, Kosova ka shpallur pavarësinë qe 12 vjet, por mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi vazhdojnë. Cilat janë pritjet tuaja nga dialogu që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian? A mundet BE-ja e vetme të arrijë sukses në këtë proces?

Nicholas Whyte: BE-ja e vetme natyrisht që nuk mundet të arrijë sukses në këtë proces, pasi ky është një proces që më së paku përfshin vetëm Kosovën dhe Serbinë, pasi edhe interesi i Shteteve të Bashkuara vazhdon të mbetet shumë i fuqishëm dhe shumë i rëndësishëm. Në fakt, ne kemi parë probleme në vitet e fundit, pasi e pamë që BE-ja dhe SHBA-ja kishin qasje të ndryshme. BE-ja e di se nuk mund ta bëjë këtë e vetme. Në anën tjetër, BE-ja nga aspekti gjeografik dhe strategjik, do të jetë organizata që e mban çelësin e përgjegjësisë për rezultatin. Pra, BE-ja nuk mund ta bëjë e vetme, por ky institucion duhet të udhëheqë.

Kosovës aktualisht po i kërkohet që t’i përmbahet premtimit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si e shihni këtë Asociacion?

Nicholas Whyte: Shikoni, fakti është se kur arrijmë në fund të këtij procesi, kur Serbia ta ketë pranuar pavarësinë e Kosovës, do të ketë nevojë që komunitetet joshumicë, sikurse në secilin shtet, të kenë garanci. Kjo nevojë ekziston edhe tani, por do të jetë edhe më e fuqishme, kur e arrijmë fazën finale. Mua më duket shumë e arsyeshme që do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse për komunat serbe në Kosovë. Nëse Kosova dëshiron që ta pranojë dhe ta ketë pjesë të saj komunitetin serb, atëherë duhet të zgjohemi dhe të shohim realitetin, se një lloj marrëveshje duhet të ribëhet. Kjo nuk do të thotë se zgjidhja e duhur është diskutuar deri më tash, por do të thotë se një zgjidhje që do të funksionojë, do të përfshijë një marrëveshje të veçantë për komunat me shumicë serbe.

Si një ekspert që e keni këshilluar Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë, a mendoni se Kosova duhet ende të bëj koncesione? Dhe nëse po, çfarë koncesionesh?

Nicholas Whyte: Shikuar nga aspekti strategjik, mendoj se të gjithë duhet ta kemi parasysh se koncesioni më i madh është nga Serbia, që ka të bëjë me pranimin e pavarësisë së Kosovës. Unë nuk e them shprehimisht njohje, por them pranim. Kur kjo të ndodhë, mendoj se Kosova ka mjaft çfarë të ofrojë, pa e rrezikuar pozicionin e saj strategjik. Por, mendoj se është çmenduri të flitet për koncesionet e Kosovës, kur e kemi parasysh se koncesioni më i madh që kërkohet është pranimi i pavarësisë së Kosovës nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po insiston se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet vetëm pasi Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Si e lexoni ju këtë qëndrim, apo është pak a shumë në përputhje edhe me atë çfarë ju thatë më parë?

Nicholas Whyte: Mendoj se nuk duhet parë këtë çështje në formë të sekuencave. Të dyja këto janë të rëndësishme për zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme dhe nuk mendoj se duhet të jemi dogmatik për kohën se kur dhe cila ndodh më parë.

Në Kosovë ka shqetësime se nëse ndodh autonomia e gjerë për komunat me shumicë serbe, atëherë do të krijohet një Republika Srpska dhe se shteti do të jetë jofunksional. A mendoni se ka vend për shqetësime të tilla?

Nuk kam parë asnjë propozim që i afrohet Republika Srpskas. Kam jetuar në Banja Llukë për një vit e gjysmë nga viti 1997-98 dhe kam parë drejtpërdrejtë dallimet që ekzistojnë mes këtyre dy rasteve, prandaj nuk duhet të marrim si shembull këtë. Nëse do të isha në Kosovë, gjëja për të cilën do të insistoja është në të vërtetë krejt tjetër. Do të insistoja që Beogradi të mbajë premtimet dhe të përmbushë angazhimin për kthimin e regjistrit kadastral të Kosovës. Për mua, kjo është një gjë që e bën pavarësinë e Kosovës të pakthyeshme, pasi kur e pranon që prona menaxhohet nga njerëzit që e kanë atë në pronësi, atëherë s’ka kthim prapa nga kjo. Mendoj se njerëzit duhet t’i kushtojnë pak më shumë rëndësi kësaj çështjeje.