75 Mall Live Search
15:37 / E Martë, 09 Shtator 2025 / P M

Eksperti thotë se vdekja e viktimës u shkaktua nga plagët me armë zjarri

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të martën në gjykimin ndaj dy të akuzuarve Besnik dhe Ilaz Salihu për vrasjen në Dumnicë të Podujevës, është dëgjuar eksperti mjeko-ligjor Naim Uka i cili dha sqarime lidhur me raportin dhe konstatimet e ekspertizës.

Në këtë rast, Besnik Salihu akuzohet për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihu akuzohet për ndihmë në kryerjen e vrasjes, raporton “Betimi për Drejësi”

Uka tha se bazuar në raportin e ekspertimit, vdekja e viktimës kishte ardhur si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

“Janë konstatuar plagë nga arma e zjarrit”, tha Uka.

Sipas ekspertit, viktima kishte marrë plagë nga dy predha të ndryshme, ndërsa dha sqarime lidhur me pretendimin nëse viktima mund t’i ketë shkaktuar vetes plagë të tilla.

“Nga praktika mjeko-ligjore është shumë pak e besueshme që dy plagë me karakteristika krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra të vetëshkaktohen”, tha tutje Uka.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuari Ilaz Salihu, avokati Qazim Qerimi i propozoi Gjykatës që të urdhërojë ekspertizë për gjendjen mendore të të mbrojturit të tij, me arsyetimin se i njëjti kishte dhënë disa deklarata kundërthënëse lidhur me rastin, duke pretenduar në gjendje të paaftësisë mendore.

Por, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Alban Ajvazi refuzoi propozimin e avokatit Qerimi, me arsyetimin se Gjykatës nuk iu ofrua asnjë provë konkrete lidhur me dyshimin për gjendjen e paaftësisë mendore të të akuzuarit.

Seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale, të cilat prokurorja Dulina Hamiti i prezantoi në këtë gjykim, ndërkohë që propozoi edhe një raport analitik të bisedave të transkriptuara për të akuzuarin Ilaz Salihu.

Propozimin e prokurores Hamiti e kundërshtoi mbrojtja e të akuzuarve.

Më pas, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aporovoi propozimin e prokurores, ndërsa me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit Besnik Salihu, avokatit Nasuf Hasani i cili për arsye shëndetësore kërkoi ndërprerjen e seancës e njëjta u ndërpre për të vazhduar në një datë tjetër.

Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thotë se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.

I njëjti ngarkohet edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjithashtu, në aktakuzës thuhet se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale.

Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së.