Ekspozuan armët në rrjete sociale/ Arrestohet një i dyshuar, tjetri në arrati

Policia e Kosovës ka kryer dje dy bastisje në Prishtinë, pasi dy të dyshuar kishin ekspozuar armët në rrjete sociale.
Bastisja e parë është kryer pasdite në rrugën “Bajram Bahtiri”, në shtëpinë e xhaxhait të një të mituri i cili ekspozoi një armë në internet.
Në atë pronë, policia gjeti dhe konfiskoi një pistoletë, shkruan IndeksOnline.
Me këtë rast, i dyshuari është arrestuar, është dërguar për intervistim dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Në rastin e dytë, është bastisur një shtëpi në rrugën “Evlia Qelebiu”, pasi i dyshuari kishte ekspozuar dy armë në rrjete sociale.
“Është bastisur shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar. I dyshuari gjendet në arrati”, thuhet në njoftimin e policisë.
Rasti është duke u hetuar./IndeksOnline/