Ekstradohen nga Mali i Zi dy persona të akuzuar për ‘Vrasje të rëndë në tentativë’ në Ferizaj
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.Z., dhe G.H.
I pandehuri B.Z., me datë 22 Prill 2018, në Ferizaj me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarin-miturin V.G., duke shtënë me armë në drejtim të tij, me ç’rast ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” , kurse i pandehuri G.H., ka ndihmuar në kryerjën e veprës penale “Vrasje e rëndë në tentativë” lidhur me nenin 28 dhe nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Vlen të theksohet se që nga koha e kryerjes së veprës penale të njëjtit kanë qenë në arrati dhe me datë 12 dhjetor 2018 janë ekstraduar nga Mali i Zi për në Republikën e Kosovës.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës në Ferizaj, që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.