Ekstradohet nga Spanja në Shqipëri, 31-vjeçari që vodhi 200 mijë litra naftë
Është ekstraduar nga Spanja në Shqipëri, 31-vjeçari i akuzuar për vjedhjen e 200 mijë litrave naftë nga një anije e ankoruar në portin e Durrësit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, i dyshuari në bashkëpunim me disa të dyshuar të tjerë, kishin korruptuar punonjësit e policisë dhe kishin kryer aktin e vjedhjes..
“Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Madridit, u finalizua në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, J. K., 31 vjeç”, thuhet në njoftim.
“Në muajin shkurt, 2025, GJKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg, për veprat penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim”.

