75 Mall Live Search
12:48 / E Enjte, 09 Janar 2020 / indeksADMonline

Ekzekutimi me snajper i biznesmenit shqiptar, dyshohet se u bë nga qitës profesionist

Ekzekutimi i me snajper i biznesmenit Kastriot Reçi në Rrëshën mbetet ende pa autor.

Kontrollet e policisë që vijojnë në zonën e Mirditës dhe marrja në pyetje e shumë personave në lidhje me ngjarjen ende nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Puna tashmë është përqendruar te pamjet e kamerave të sigurisë dhe ekzaminimi i një paruke të gjetur që dyshohet se u përdor nga autori.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe analizimi i të gjithë të dhënave, dyshohet se qitësi ishte profesionist dhe dyshimet janë se ai ishte vrasës me pagesë.

Ekzekutori i biznesmenit qëlloi nga rreth 200 metra largësi nga brenda një apartamenti, duke i shkaktuar vdekjen me vetëm një goditje dhe pa dëmtuar persona të tjerë.

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë që kanë filmuar ngjarjen, 47 vjeçari u qëllua pasi puthi një fëmijë, i cili fatmirësisht nuk u rrezikua por u përfshi në ngjarjen tragjike.

Nga pallati ku kreu vrasjen, autori dyshohet se u largua i maskuar si grua, ndërsa maska u gjet në afërsi të tregut.

Kjo provë dhe pamjet e kamerave të sigurisë që kanë filmuar autorin po analizohen më imtësi, por sipas burimeve identifikimi mbi bazë të pamjes është i vështirë.

Ndërkohe po verifikohet edhe telefoni i viktimës për të parë bisedat telefonike apo dhe mesazhet e kohës së fundit me ndonjë person të dyshimte.

Kastriot Reçi u ekzekutua me snajper rreth orës 11 të së martës, teksa po hynte në lokalin e tij në qendër të Rrëshenit.

Dyshimet janë se vrasja është kryer për hakmarrje në vijim të një sage krimesh që kanë goditur ndër vite qytetin e Rrëshenit