08:10 / E Martë, 13 Dhjetor 2022 / LB

“Ekzekutivi duhet të caktojë administratorë për komunat në veri”

Që nga fillimi i nëntorit, Zveçani, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut janë pa kryetarë komune. Si pasojë e situatës së përshkallëzuar, zgjedhjet për kryetarë në këto komuna të parapara për 18 dhjetor, janë shtyrë deri më 23 prill. Pas shtyrjes së zgjedhjeve, njohës të së drejtës kushtetuese dhe qeverisjes lokale thonë se ekzekutivi duhet të caktojë administratorë në këto komuna.

Zveçani, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut janë pa “zot shtëpie”, që nga 5 nëntori, kur dhanë dorëheqje kryetarët e nënkryetarët e këtyre komunave në veri të Kosovës. Kjo situatë do zgjasë edhe për disa muaj, meqë zgjedhjet e parapara të mbahen me 18 dhjetor, u shtyn nga presidentja, për datën 23 prill të vitit 2023, për shkaqe të sigurisë.

Situatat sikur kjo aktualja, kur ka komuna pa kryetarë e nënkryetarë dhe edhe zgjedhjet janë shtyrë, nuk janë të rregulluar me ligj.

Njohësi i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se nëse zëvendësimi i kryetarit e nënkryetarit nuk është i rregulluar me statut të komunave, ministria duhet të caktojë drejtues të komunave.    

“Ministria e Pushtetit Lokal ose edhe Qeveria, do të duhej që me një vendim të veçantë ta rregullojë çështjen e administratorëve. Të caktohen njerëz të caktuar si administratorë, përkohësisht, deri në prill, kur do të mbahen zgjedhjet, që të administrojnë dhe menaxhojnë me ato komuna. Meqë kemi një vakum legjislativ, do të duhej që të gjendeshin zgjidhje praktike”, tha ai.

Bekim Salihu, analist politikash në Institutin “GAP”, organizatë kjo që merret edhe me punën e nivelit lokal, thotë se situata e krijuar në katër komunat në veri të vendit është specifike, pasi jo çdo gjë mund të trajtohet bazuar në legjislacionin aktual të Kosovës. Megjithëkëtë, Salihu thotë se caktimi i administratorëve është një zgjidhje që komunat të mos ngelen pa drejtues procesesh.

“Qeveria e Kosovës mundet përkohësisht të vendosë administratorë në këto komuna, të cilët do të jenë si të themi, ushtrues të detyrës së kryetarit deri në zgjedhjet e ardhshme. Ky model është ndjekur në vitin 2011 në Mitrovicën e  Veriut deri në vitin 2013, kur janë mbajtur zgjedhjet e lira në këtë komunë. Për rrjedhojë, bazuar në këtë, opsioni më i preferuar do të ishte vendosja e këtyre administratorëve në këto komuna”, tha ai  

Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, se pas dorëheqjeve të kryetarëve në katër komunat veriore, dhe shtyrjes së datës së zgjedhjeve deri më 23 prill, deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj, nga kush do të qeverisen këto komuna? Por, përkundër insistimit, deri në përgatitjen e këtij materiali, nga MAPL s’kanë kthyer përgjigje.

Kryetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të gjithë nga Lista Serbe, dhënë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës, në lidhje me konvertimin e targat ilegale serbe në RKS.