75 Mall Live Search
19:57 / E Enjte, 12 Tetor 2017 / indeksADMonline

Ekzekutohet avokati i njohur grek

Një ndër avokatët më të njohur grekë është ekzekutuar mbrëmjen e së enjtes në kryeqytetin Athinë.

Sipas policisë, dy persona, të cilët flisnin një greqishte jo të mirë, ekzekutuan me një pistoletë avokatin Michalis Zafeiropoulos. Ngjarja ndodhi rreth orës 19 në rrugën “Asklepios”, në qendër të Athinës.

Sekretaria e avokatit iu tha agjentëve të policisë se, dy ekzekutorët kishin lënë takim me avokatin që në orët e pasdites, e në vazhdim qëndruan për disa minuta në hollin e zyrës së Avokatisë të të ndjerit. Ata nuk ishin të maskuar dhe flisnin jo mirë greqisht.

Pak çaste më vonë, dy autorët kërkuan prej sekretares që të largohej dhe, sapo ajo mbylli portën, u dëgjuan disa të shtëna pistolete. Viktima Michalis Zafeiropoulos gjeti vdekjen e menjëhershme.

Policia deklaroi se ka të hapura të gjitha pistat lidhur me ngjarjen, ndaj dhe gjatë orëve në vazhdim do të hetojnë dosjet e çështjeve të viteve të fundit të avokatit, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe pista e vrasjes me porosi.

Michalis Zafeiropoulos ka marrë pjesë në disa prej gjyqeve më të rëndësishme të ndodhura vitet e fundit në Greqi. Ai është i biri i ish-deputetit Epaminondas Zafiropoulos.

Kryeministri Tsipras kërkoi zbardhjen sa më të shpejtë të krimit, ndërsa opozita dënoi ngjarjen.

Në zyrën e të ndjerit mbërriti menjëherë edhe ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Toskas, si dhe deputetë të Parlamentit. Zyra e Zafeiropoulos ndodhet më pak se 100 metra larg banesës së ish-presidentit Karolos Papoulias, dhe ish-kryetarit të opozitës greke, Evangelos Venizelos.

“Michalis Zafeiropoulos ishte një avokat i mirë, një shok i mirë dhe një prind shembullor. Dy persona hynë dhe e qëlluan. Çfarë të them, jam i shokuar nga kjo ngjarje e rëndë”, tha Andonis Fusas, deputet./tch