75 Mall Live Search
15:00 / E Hënë, 15 Shtator 2025 / S Z

Elezi: Arrijnë fletëvotimet për votimin e diasporës, të mërkurën nis procesi

Më shumë se 88 mijë fletëvotime që i përkasin Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale nga Sllovenia janë sjellë në Kosovë, për të mundësuar votimin me postë të diasporës.

Të mërkurën, më 17 shtator është planifikuar të fillojë procesi i votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës, por kjo do të varet edhe nga momenti se kur votuesi do të pranojë pakon me fletëvotime nga posta.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress se pasi kanë pranuar fletëvotimet, do të përgatiten pako të veçanta për secilin votues, të cilat do t’iu dërgohen votuesve të regjistruar.

“Mund t’iu konfirmoj se fletëvotimet për votimin jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale tashmë janë shtypur dhe janë sjellë në Kosovë. Bëhet fjalë për 44,310 fletëvotime në Zgjedhjet për Kryetar të Komunave dhe po kaq fletëvotime që i takojnë për Zgjedhjet për Kuvende Komunale. KQZ do të përgatis pakot për secilin votues të regjistruar, e cila do të përmbajë nga dy fletëvotime, një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal. Sipas rregullores KQZ do të sigurohet që këto pako t’ua dërgojë me postë votuesve të regjistruar për votim jashtë Kosovës. Ndërkaq, është detyrë e secilit prej tyre që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që hapen në shtete të ndryshme nga ana e KQZ-së”, shpjegoi Elezi.

Sipas Elezit, afati për votimin jashtë vendit është 25 ditor dhe do të vlejë për rreth 43,933 shtetasit e Kosovës të cilët janë bërë pjesë e procesit zgjedhor.

“Periudha e votimit përmes postës vlen vetëm për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar për votim përmes postës në periudhën 23 korrik dhe është përmbyllur me datë 29 gusht 2025. Sipas afatit të vendosur nga KQZ, janë 25 ditë në dispozicion, për të mundësuar votimin përmes postës i cili do të do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor. Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, në zgjedhjet lokale do të kemi vetëm votim përmes postës sepse votimi në përfaqësi diplomatike, nuk aplikohet në këto lloj zgjedhjesh”, ka thënë Elezi.

Sipas KQZ-së, së shpejti do të publikohen adresat e kutive postare që do të hapen në shtete të ndryshme.

Po ashtu, sipas shpjegimeve nga KQZ, shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, largohen nga Lista e Votuesve brenda Kosovës e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve dhe rrjedhimisht nuk mund të votojnë në Kosovë.

Ndërkaq, shtetasit që nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, do ta gjejnë emrin e tyre në Listën e Votuesve brenda Kosovës. /