75 Mall Live Search
19:00 / E Premte, 07 Qershor 2024 / MSH

Elezi mohon të ketë akuzuar presidenten për negocim për lirimin e terroristëve në rastin e Banjskës

Bedri Elezi ka thënë se ai dhe familja e tij janë vendosur para një rreziku serioz për jetët e tyre, pas thirrjes së Presidencës së Kosovës që të merren masa për aktivitetin e vazhdueshëm “të tij në dëm të sigurisë kombëtare”.

Elezi, në një deklarim të premten, ka thënë se ai nuk e ka akuzuar presidenten për spiunazh, e as nuk e ka akuzuar atë direkt për negocim për lirim të agjentëve të BIA-s.

“E para unë në asnjë rast unë nuk e kam akuzu presidenten e Republikës së Kosovës për negocim për lirimin e agjentëve të BIA-s në rastin e Banjskës, por kam deklaruar se në bazën e deklarimeve të fundit të cilat janë publike, e për të cilët e kam shprehur dyshimin se presidentja ka negociuar në lirimin e agjentëve të Banjkës”, ka thënë ai.

Për thirrjen e presidentes Osmani që të hetohet aktiviteti i tij, analisti dhe udhëheqësi i një Organizate jo-qeveritare që merret me çështje të sigurisë ka thënë se tashmë është vendosur para rrezikut për jetë.

Më herët gjatë ditës, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, tha se presidentja do të përgatisë padi ndaj Elezit.

“Presidentja Osmani nuk ka negociuar për lirim të agjentëve të BIA-s, ndaj kjo është gënjeshtër e pastër e individit Bedri Elezi, për ç’gjë Presidentja menjëherë do të përgatisë padi. Ky deklarim i pavërtetë dhe skandaloz, përbën shpifje të rëndë. Deklarime të tilla, cenojnë jo vetëm kredibilitetin e shtetit, por edhe sigurinë kombëtare.

Shpifjeve të tilla, Presidentja do t’u përgjigjet nëpërmjet rrugës ligjore.

Njëkohësisht, Presidentja u bënë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që urgjentisht të ndërmarrin masa, bazuar në raportet e shumta të institucioneve të sigurisë, të cilat dëshmojnë aktivitetin e vazhdueshëm të individit Bedri Elezi në dëm të sigurisë kombëtare” shkroi Kupina në facebook.